Kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështje Europiane, deputeti Artan Grubi, e ka pritur sot në Kuvend ambasadorin e Bashkimit Europian në Maqedoni, Samuel Zhbogar.
Deputeti Grubi dhe ambasadori europian Zhbogar diskutuan për sfidat reformuese të Maqedonisë në përputhje me pritshmëritë e Brukselit, BE-së dhe NATO-s, sfidat e Komisionit për Çështje Europiane në lidhje me dinamikën ambicioze të agjendës së re reformuese bashkë me përkushtimin integrues të vendit në NATO dhe BE. Grubi njoftoi ambasadorin Zhbogar për prioritetet e Komisionit, të cilin ai e drejton në Kuvend, e që përfshijnë gjithashtu edhe debate të shumta publike për të gjitha çështjet reformuese me përfshirjen e të gjithë deputetëve, shoqërisë civile, medieve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Grubi u shfaq i përkushtuar që bashkë me deputetët e tjerë dhe shoqëritë civile të mban të përgjegjshme Qeverinë dhe palët përgjegjëse për zbatimin e përpiktë të reformave. Sundimi i së drejtës, barazia qytetare në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, integrimi i menjëhershëm euroatlantik si dhe mirëqenia shoqërore janë kryefjalë e kësaj shumice të re reformuese.
Deputeti Grubi theksoi që është në pritje të udhërrëfyesit të miratuar nga Qeveria si dhe nënvizoi nevojën e miratimit të një rezolute gjithëpërfshirëse nga ana e Kuvendit në përkrahje të reformave dhe integrimit në Bashkimin Europian.
