ARGËTIM SPAHIU
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi jo vetëm që nuk kërkon falje që gënjeu opinionin shqiptar se gjuha shqipe do të zyrtarizohet para se të votohet qeveria, por edhe mundohet të arsyetohet për këtë gënjeshtër. Arsyetimi i tij është edhe qesharak edhe naiv, se gjoja ngjarjet e 27 prillit qenkan pengesa për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Nëse vrtetë është ashtu, atëherë Grubi së paku duhet kërkuar paku falje para shqiptarëve që ai dhe partia e tij vite me radhë ishin partnerë me partinë që shkaktoi 27 prillin! (Që do të thotë se nga do që të sillet, Grubit dhe BDI-së prapanica i mbetet mbrapa).
Ai tashmë nuk mund të tregojë as afat përfundimtar se kur do të miratohet ligji për gjuhën shqipe, duke thënë se kjo do të ndodhë deri në fund të këtij mandati. Duke pasë parasysh veprimin e mëhershëm të BDI-së, lirish mund të supozojmë që tani se arsyetimi i radhës për moszyrtarizimin e gjuhës shqipe do të jetë: u shpallën zgjedhje të parakohshme dhe nuk arritëm ta përfundojmë mandatin.
Mirëpo një fjalë popullore thotë: “Nuk po më vjen inat kur po më gënjen, por më vjen inat kur po mendon se po t’besoj”. Si analist që e mbështes plotësisht veprimtarinë e tij politike (me nder me thanë), i sugjerojë miqësisht Artan Grubit që ta ketë parasysh këtë fjalë popullore kur paraqitet para opinionit. Edhe nëse gënjen, së paku mos të mendojë se i beson dikush, sepse në atë mënyrë ofendon edhe më rëndë qytetarët. Zgjedhjet e 11 dhjetorit treguan se shqiptarëve askush nuk mund të ju shesë dushk për gogla.
