“Shumë vendbanime shqiptare, përfshirë edhe ato të Komunës së Kumanovës dhe rrethines nuk jetojnë në shekullin 21, por atë të mesjetës. Kështu që edhe sot këto vendbanime përballen me mospasjen e kushteve elementare për një jetë normale, siç është mungesa e infrastrukturës. Kjo ndodh ngaqë përfaqësuesit e këtij populli që bartin emblemën partiake të BDI-së interesin e popullit e kanë barazuar me profitet e tyre personale”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa- Kumanovë.
Lëvizja BESA kërkon nga ndërmarrja publike për furnizim me ujë “Vodovod” ta menaxhojë siç duhet rrjetin e ujësjellësit të Rramanlisë, dhe menjëherë të zgjidhë problemet e banorëve të kësaj ane.
“Lëvizja BESA iu bën thirrje përfaqësuesve komunal të BDI-së që të shohin edhe përtej interesave të tyre personale dhe të merren edhe me brengat e banorëve të Kumanovës dhe rrethinës. Lëvizja BESA do të jetë gjithmonë përkrah hallexhinjve dhe në shërbim të popullit shqiptar në Maqedoni dhe do të angazhohemi për zgjidhjen e këtyre problemeve thelbësore”, përfundon kumtesa e partisë.
