Zeqiri: Ligj për gjuhën shqipe “kur të vijë koha”, LSDM do të fitojë në disa komuna shqiptare (Video)

Deputeti dhe nënkryetari i LSDM-së, Muahmed Zeqiri thotë se programi qeveritar do të realizohet dhe me këtë do të ketë edhe avancim të gjuhës shqipe.

“Kur të vijë koha për këtë, do të kemi zgjidhje konkrete ligjore, që do të dorëzohet për debat publik, që në fund të debatohet në Kuvend”, ka deklaruar Zeqiri, në një intervistë për Makfax.

Ai shprehet i bindur se në zgjedhjet lokale, LSDM do të fitojë përkrahje edhe më të madhe nga votuesit shqiptarë.

“Jam i bindur se në disa komuna që janë me shumicë shqiptare, LSDM do të ketë kryetrët e vetë””, shprehet Zeqiri, transmeton Gazeta Lajm.

Ai thotë se rastet si Sopoti e Monstra do të ndriçohen përmes komisioneve parlamentare, kurse Lagja e Trimave përmes një komisioni ndërkombëtar. Për BDI-në thotë se ka qenë parti regjimi, por se tash është liruar dhe ka mbartur përgjegjësi për ato që ka bërë. Zeqiri shton se pas rënies së “regjimit” ka dashur të tërhiqet nga politika, por se ka mbetur shkaku i përgjegjësisë para qytetarëve.