Frederik Ndoci, nuk jam dorëzue, por më kanë mundur antishqiptarët, antishkodranët, anti Zotat…

Shkruan: Frederik Ndoci

Po kthehesha në atdhe 2006. Isha në vendin e parë në mikrobuz që u nis nga Ulqini. Emocione të jashtëzakonshme, kisha 10 vite pa u kthyer. Rruga pas Muriçanit filloi të ndiqte Bunën përpjetë… e mendja më shkonte tek vargjet:
“lamtumir o mori Shkodër
lamtumir more Cukal,
zhduket Buna në nji kodër
Hupe Drini nga n’nji mal”.

Me kujdes shoh rrotull, dhe me shpejtësinë që më karakterizon fshij lotin, që padrejtësisht quhet “trathtar”. Shoferi me cigare në gojë i heshtun dhe i përqendruam në rrugën që me siguri e kishte shkel mijëra herë, më pa dhe më pyeti:- a je mirë? po- i pohova me krye, Ai shtoi: -thash je tuj shku për hall?! jo i thashë veç njajo, duke i tregu siluetën e Rozafës që dukej, njajo po më sh’burrnon. Shoferi nuk më njihte, por meqë isha i pari që kisha ardhe në stacion, dhe kur na mori pasaportat mendoi që si USA qytetar të më trajtonte pak ma mirë. Pas pak kaluem urën e Bunës dhe ngadalë mikrobuzi mori drejtimin për nga qendra. Çdo pemë më dukej se po frynte për mu atë mbasdite të nxehte Qershori. Mundohesha të perceptoja kalimtarët e shumtë në trotuaret që tregtonin gjithçka,-se mos njoh ndonjenin? Sa ma shumë i afroheshim qendrës, mikrobuzi ecte avash duke iu ruajtur gropave të panumërta që e bënin trafikun akoma ma të egër dhe rrëmujë si në Bangladesh, Eh Shkodra ime Bangladesh… prapë një lot rrëshqiti, kësaj here as nuk e çava kryet për ta fshirë, mu duk si perlë që zbukuronte dhe lehtësonte arsyen e paarsyeshme të mungesës kaq të gjatë.

Jeta e jonë e përzane nga dëshira apo lakmia? Nga pa fatësia apo nga varfëria? Nga padrejtësia apo nga antishqiptaria? Gjithsesi arritëm tek gërmadha e parë e qendrës, dikur luksi ma i madh i socializmit, hotel Rozafa, tashti i ngjante një dhëmballe të mbushur 4 herë. U ula si i topitun. Përballë busti i Migjenit me 4-5 kulumria mbi krye, e poshtë kambëve të tyne një qilim i madh glacash, si kunorë rreth ballit të gjanë të poetit…


Na t’birt e shekullit të ri
që plakun e lam në shejtnin e tij…

Një ndjenjë gazi mu rikthye si vazhdimësi e cinizmit, që më ka karakterizu qysh se mësova me perceptu në adoloshencë gjanat.
Shkodra po me priste siç më përcolli, pa bujë, me vapë, qetësisht… kisha valixhet e randa dhe pasi mora taksinë i thashë shoferit adresën. Shkodra ishte as ma pak as ma shumë një trishtim si në vitet 1990, e rrënuar e shtrydhun e dobsueme si një njeri me leukemi dhe ulqerë për 30 vite… fillova të kërkoj ndonjë shkak për të mos derdhur lot… e mu kujtue barsoleta e Tefës, “ba me u hap kufini, un hypi në pemë, se më merr turma me vehte”. Rrugës së Giuhadolit nga shtëpia muze e Luigj Gurakuqit, pash murin e avllisë së hapur dhe disa lëndë ndërtimi, gur, tulla, trarë rërë. I them shoferit të lutem a ma ndal vetëm 5 minuta? Po mor po për çfarë? T’ia baj nji foto shtëpisë së Luigjit. Haaaahahah qeshi shoferi në konfidencë shkodrane, po çfarë shpijet mor, ka dy vjet që e ka shemb ai që e ka ble. !!!!! e ka shemb?? Shoferi ndali taksin, dhe më tha që hin e bindu. Hyna mbrenda në oborr, aty mu duk se flinte mortja e qytetit tem, pra Shkodra nuk kishte as Rozafë, as Luigj, as britmë, as mitologji, as poezi, as cinizëm.

Tashti ma në fund historia e qytetit tem kishte përfundu në historina kallashësh në historina të fortish, në historina POLITIKUAJSH, në ngjarje të pa vlera, por që paskan vlerë deri në orën 6 pm, sepse njerëzit ndiznin qirinjtë e vakët të mbramjes… Qyteti im në letargji… pijetarët ishin ma modernët, por në ekstazinë e pijes ata e thyenin shtetrrethimin, nuk flinin deri në 9 pm. Zhurma e elektromotorëve ma thellonte mendimin se Shkodra qyteti im, tashma ishte si një avulltore nëpër lumin e Bunës, por tuj u njit Bunës përpjetë.

Hypa në makine… sapo u mbyll dera mu shgreh nji andrenalinë vaji. Gropat as më banin ma përshtypje, fillova ta mallkoj vedin, pse u ktheva, fillova ta mallkoj Fishtën që nuk e bani krejt një poezi me kuptimin e plotë të fjalës,” le ta din gjithë bota mbarë se a ka mbet kush me i than vedit shqiptar?!

Rrik mos u merakos shumë se nuk kena kohë edhe pak errësohet e na duhet me e gjet shtratin para se të errësohet krejtësisht. Koncepti energji, mu kujtue ‘Black out’ në Nju Jork, ku njerëzit festonin atë natë “very fany” nëpër rrugë me birra, me thirrje lumturie, ma në fund qyteti dritë në terr…. Shkodra ime jo drita, ajo fshihej skutave të Botës, që të mos dukej natën trishtimi i atyre që kishin ardhë dhe atyre që kishin mbet… nuk ishte Shkodër absolutisht asnjë fije, ishte thjesht një album i jetës sime që po kalonte në zgavrat e kokës dhe po ma hante trunin… I kishin hyrë krimbat antishqiptarë dhe me metastazat e shpirt dhanies Shkodra dukej se po buzëqeshte nga dhimbjet, zgërdhihej Shkodra ime duke na than fuqimisht me za der në kupë të qiellës, historia ime fle nën dhe…

Shtëpia buzë shkatërrimit e At Gjergj Fishtës

Pas disa ditësh shkova në Varrezat e Rrmaj-ve, aty vendosa do lule tek të afërmit, Genti, Axha, Angjelini, Daja Martin… mbasi mbarova punë i tham Arjanit, a ka rrugë për në Fishtë? Theth?
Vendosëm që të nesërmen me u nisë për Fishtë. Nuk qava aspak, kur pashë gërmadhat e shtëpisë së poetit Gjergj Fishta. Nuk u çudita, poeti ishte heretik i PPSH-së dhe e meritonte akoma të ishte i dënuar. Baaabababa po mirë lufta për ekzistencë kuptohet, por jo deri njaty.
Pas disa ditësh shkuam në Tiranë dhe i kërkova që të më afronin te shtëpia e partisë, sytë zgurdulluar me shikimin me njëmij e nji pikëpyetëse. Po a je në vehte apo të ka zanë vapa? Jo i thash du me shu një kureshtje.

Ajo ishte si atëherë kur na detyruan me forcë ta vizitonim, edhe shtëpia muze e Vojo Kushit. Mu mbush mendja top, kam qejf mos me përfundu i vramë pabesisht nga kushërijtë nëpër botë, ma mirë të kacafytem me antishqiptar nëpër Shqipëri.

Nuk jam dorëzue, por më kanë mundur, më kanë mundur antishqiptarët, antishkodranët, antikristianët, anti toksorët, anti shpirtërorët, anti të vobegtit, anti të pangijshmit, anti Zotat. Po të ju la Shkodrën Sulltan Hamitav ta shkërrdheni brij e në brij, siç ma keni shkërdhy deri më tash. (Shqiptari.eu)