Ndonëse partitë e koalicionit qeveritar janë të fokusuara drejt konsolidimit të pushtetit qendror, megjithatë brenda strukturave të tyre vëmendje i kushtohet edhe zgjedhjeve lokale të caktuara për më 15 tetor të këtij viti.
Bashkimi Demokratik për Integrim, parti e cila pësoi rënie drastike në zgjedhjet e 11 dhjetorit, nga tani ka filluar që të punoj në terren dhe të fokusohet për zgjedhjet lokale. Analistët shprehen se BDI në zgjedhjet lokale do të pëson rënie edhe më të madhe nga partitë e reja shqiptare si dhe do ti humbë bastionet që i ka pasur deri më tani.
Politologu Mevlud Islami për Zhurnal ka deklaruar se zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor do të jenë edhe një test për partitë politike në vend.
Sipas tij zgjedhjet e fundit parlamentare përveç se bën një revolucion duke shtuar votat te partitë opozitare, ai trend pritet të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale.
Islami shprehet se te blloku shqiptarë parti më e rrezikuar pritet të jetë BDI e cila udhëheqë me 14 komuna, dhe numri i këtyre komunave që do të udhëhiqen nga BDI pas zgjedhjeve lokale do të përgjysmohet.
“Zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor pritet të jenë edhe një test tjetër për partitë politike në vend në garën se kush dhe sa komuna do të udhëheq. Zgjedhjet parlamentare në fundin e vitit të kaluar në Maqedoni përveçse bën “revolucion” në pushtetin qëndror duke shtuar votat te partitë opozitare ai trend pritet të vazhdojë edhe në ato lokalet ku dëshprimi për premtimet e parealizuara është tejet i madh. Te blloku Shqiptarë më e rrezikuara pritet të jetë BDI e cila udhëheq me 14 komuna. Kjo argumentohet nga fakti që në zgjedhjet e fundit parlamentare trupi votues i BDI u përgjysmua. Nëse kemi parasysh faktorët e lartëpërmendur atëher vlerësojë se numri i komunave që do të udhëhiqet nga BDI do të jetë i përgjysmuar dhe se Lëvizjet e reja shqiptare do të befasojnë pozitivisht”, ka deklaruar për Zhurnal, politologu Mevlud Islami.
Nga ana tjetër edhe politologu Xhenis Sulimani për Zhurnal shprehet se BDI u dënua nga elektorati shqiptar në zgjedhjet parlamentare me minus 10 deputet, dhe kjo rënie drastike e elektoratit do të ndjehet edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Sipas tij kjo do të ndodh sepse BDI edhe në përbërjen e qeverisë së re, nëpër poste ka vendosur njerëz jo adekuat të cilat nuk janë të dëshmuar profesionalisht.
“BDI u dënua në zgjedhjet e fundit nga elektorati me minus 10 deputetë, nga numri i mandateve të deputetëve që kishte në mandatin e kaluar të Kuvendit. Një rënie drastike e elektoratit do të ndjehet edhe në zgjedhjet e ardhshme- lokale. E them këtë duke u bazuar në kuadrot që BDI ka zgjedhur për qeverisjen e re. BDI ka rikthyer “krahun e luftës” në disa pozicione kyçe të vendit, duke menduar se kjo do të ndikojë pozitivisht në rangun e saj, si parti politike. Tregues se më nuk funksionojnë figurat që dikur kanë qenë pjesë e luftës është humbja drastike e disa kandidatëve për deputetë nëpër shumë qytete të Maqedonisë, me shumicë shqiptare. Tanimë populli dëshiron kuadro kredibil, të dëshmuar profesionalisht dhe jo të pashkolluar e ish pjesëtar të ilegales, sikur dinë të lavdërohen shpesh BDI. Institucionalizmi i përket një mendësie më të ngritur politike që BDI nuk e posedon. Dështimi i figurave të deritanishme të BDI-së u dënua më 11 dhjetor 2016, dukshëm, një goditje shumë shpejt do të vijë”, ka deklaruar për Zhurnal, politologu Xhenis Sulimani.
Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013, Bashkimi Demokratik për Integrim arriti të fitoj në 14 komuna shqiptare. /Zhurnal.mk
