Drejtuesit e Lëvizjes BESA, kanë realizuar takim me ambasadorin e SHBA-së në Shkup, Xhes Bejli. Pas takimit kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, tha se në takim ata kanë sqaruar situatën në të cilën gjendet Maqedonia pas zgjedhjes së qeverisë së re, veçanërisht funksionimin e shumicës së re parlamentare, funksionimin e parlamentit dhe pozicionin e Lëvizjes BESA, karshi proceseve të cilat po ndodhin dhe do të ndodhin në të ardhmen.
“Është një komunikim i rregullt të cilin ne kemi venduar dhe vazhdojmë të kemi me diplomat të huaj që ashtu siç kontribuuan në përkrahjen e ndryshimit transferim të qetë të pushtetit, që të kontribuojnë edhe më tej bashkërisht me ndihmën e tyre të ndërtojmë një pushtet dhe të mos lejojmë që të na kthehet dhe të na ndodh ajo që na ndodhi gjatë qeverisjes VMRO-BDI”, deklaroi pas takimit Kasami, raporton SHENJA.
Ai shtoi se SHBA i përkrahin proceset reformuese në Maqedoni dhe edhe më tutje do të jenë në krah të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj, që Maqedoni t’i kthehet rrugëtimit të saj euroatlantik.
