Komisioneri për Zgjerim i BE-së Johanes Han është përballur me një kërkesë të cuditshme gjatë takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.
Agjencia e lajmeve INA, mëson se ky i fundit nga kërkuar nga zyrtari i lartë evropian që ti bëjë presion liderëve të partive shqiptare për prolongimin e avansimit të gjuhës shqipe përmes miratimit të ligjit të ri për gjuhët.
Zaev ka kërkuar që ky ligj të shtyhet pas zgjedhjeve lokale, për të mos përsuar bilans negative në humbjen e pushtetit në qeverisjen lokale.
Gjatë vizitës së fundit, Han kërkoi nga qeveria e re zbatimin e reformave urgjente prioritare për anëtarësim të vendit në BE.
“Jam i kënaqur për klimën e krijuar pozitive, sa i përket perspektivës integruese të Maqedonisë”, theksoi Komisionari për politikë evropiane të fqinjësisë dhe negociata për zgjerim, Johannes Hahn, gjatë vizitës së tij në Shkup.
“Porosia ime për të gjithë këtu është të përqendroheni në detyrat që priten për tu realizuar. Të gjitha palët të cilat janë përgjegjëse përfshi këtu edhe opozitën, gjyqësorin dhe të gjitha institucionet relevante, të koncentrohen në ndërtimin e një shoqërie moderne e cila do të funksionojë dhe një shtetet i cili do të punojë në interes të të gjithë qytetarëve”, tha Hahn.
Ai në Shkup i porositi zyrtarët e Qeverisë së re të Maqedonisë që me ngulm të përkushtohen në realizimin e reformave nëse dëshirojnë që Maqedonia të bëhet pjesë e familjes evropiane, duke vendosur theksin mbi drejtësinë.
“Rekomandimi për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, është ngushtë i lidhur me dinamikën e realizimit të reformave të apostrofuara, si detyrim për vendin në raportin e KE-së dhe atë të Pribesë”, tha komisionari Hahn, duke nënvizuar se agjenda reformuese, duke filluar që nga dita e nesërme (e marta ), do të ndihmohet edhe nga ekspertët e Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se në kuadër të mbledhjes tematike të Qeverisë së Maqedonisë, kushtuar prioriteteve reformuese për integrimin e vendit, Qeveria e Maqedonisë bashkë me euro-komisarin Hahn, ka precizuar një dokument punues i cili do të jetë gati deri më 1 korrik, që ka të bëj me reformat të cilat janë më me prioritet, siç është sundimi drejtësisë, lirinë e mediave etj.
“Ky dokument i quajtur ‘udhërrëfyes’, del nga Marrëveshja e Përzhinës dhe rekomandimet e Pribesë. Prania e komisionarit Hahn paraqet sinjal të fuqishëm në vend, për integrimin tonë në Bashkimin Evropian”, tha Zaev, duke shtuar se qëllimi i këtij dokumenti është që Maqedonia të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Zaev ftoi opozitën të mbështet këtë dokument.
Kryeministri maqedonas, në kuadër të mbledhjes tematike të Qeverisë, ku të pranishëm ishin dhe diplomatët e lartë të Brukselit, komisionari Hahn dhe ambasadori i BE-së në Shkup Samuel Zhbogar, tha se qytetarët e Maqedonisë meritojnë të jenë pjesë e familjes evropiane.
“Kjo Qeveri ka marrë përsipër obligim serioz për të treguar para Bashkimit Evropian por edhe para vetes, se Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e saj, meritojnë t`i bashkëngjiten botës së civilizuar demokratike nga e cila kish mbetur larg”, tha Zaev në fillim të mbledhjes tematike të Qeverisë.
