Lëkundet Ohri e Struga, tërmeti prej 4.1 ballë

Tërmet i fuqishëm prej 4.1 shkallë sipas rihterit sot e dridhi Ohrin dhe Strugën. Tërmeti u regjistrua në ora 11:39 minuta, ndërsa epiqendra e tij ka qenë 8 kilometra në lindje të Ohrit, në fshatin Misleshevë të Strugës në thellësi prej 3 kilometrave. Banorët të frikësuar menjëherë dolën në rrugë para banesave të tyre.

Ata thonë se nuk mbajnë mend një gjë të këtillë në Ohër dhe sikur dridhjet të kishin mbajtur pak më gjatë, me siguri do të kishte edhe dëme.

 

“Kjo ishte e tmerrshme. Përnjëherë filloi një oshtimë e madhe dhe u dridh çdo gjë. Filluan të bien pikturat, lulet, gotat. Ishte tmerr. U frikësuam shumë. nuk mbajmë mend një gjë të këtillë. Më herët kishte në Dibër, por tani këtu në Ohër nuk kemi pasur dridhje të këtilla. Tërmeti ishte diku rreth 4 shkallë”.

“Ishte tmerr. Jetojmë në katin e pestë dhe vërtetë ishte e frikshme. Në fillim kishte oshtimë dhe pastaj filloi të dridh. Të gjithë dolëm menjëherë-shprehen disa qytetarë”.

Pas tërmetit të sotëm janë vërejtur edhe dëmtime në objektet e vjetra. Enti sizmologjik i Maqedonisë në periudhën prej 18 qershorit në rajonin epiqendror të Ohrit ka regjistruar gjithsej mbi 800 tërmete. /AlsatM/