“Maqedonia ka një popullatë me më shumë se 90 për qind që besojnë në Zot, megjithatë simbolet fetare nuk paraqesin problem për shfaqjen e tyre në jetën publike. Mosdurimin ndërfetar në momente të caktuara e ka iniciuar politika”, - ky është rezultati që ka dalë nga anketat e realizuara nga Instituti ZIP, financuar nga bashkësia ndërkombëtare në katër komuna të Maqedonisë me përkatësi të përzier etnike dhe fetare.
Nga ky institut, duke komentuar rezultat e hulumtimit të realizuar thotë se për përfitime të politikës ditore, jo rrallë herë nga qarqe të caktuara, janë nxitur tensione me karakter ndërfetar.
Nga ana tjetër, profesori universitarë Ali Pajaziti, për REL thotë se projektet mono-etnike të financuara nga buxheti i shtetit, siç është projekti “Shkupi 2014”, paraqesin burim të mostolerancës ndëretnike.
Kjo, thotë ai, paraqet një bombë të kurdisur në një shtet multikonfesional siç është Maqedonia.
“Çarshia e vjetër e Shkupit është një shembull tipik ku i gjeni në një vend të gjitha bashkësitë etnike dhe fetare të Maqedonisë. Ku fliten të gjitha gjuhët , ajo rome, boshnjake, turke, shqipe maqedonase, etj. Dhe, kjo zonë akoma mbetet e këtillë”.
“Për fat të keq disa projekte artificiale që janë bërë si ‘Shkupi 2014’ kanë qenë një atentat ndaj bashkëjetesës dhe koekzistencës. Në vend që të ndërtoheshin ura janë ndërtuar mure, por kohëve të fundit kjo ka filluar të zbehet dhe kjo sërish kemi një një rigjallërim të Çarshisë së Shkupit që është simbol i multikulturalizmit në Republikën e Maqedonisë”, vlerëson Ali Pajaziti, ligjërues i sociologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë konsiderojnë se në funksion të kultivimit të tolerancës, duhet të realizohen më shumë projekte që do të kontribuojnë në hapjen e dyerve të institucioneve fetare për qytetarët e besimeve të ndryshme.
Ndërsa nga Bashkësia Fetare e Maqedonisë, thonë se bashkësitë fetare duhet të trajtohen në formë të barabartë nga ana institucioneve shtetërore në këtë mënyrë vlerësojnë ata, eliminohen barrierat për kultivimin e tolerancës fetare.
