ARTAN NEXHIPI
Nëse ka qenë e sinqertë se nuk do të rrijë në qeveri pa ligjin për gjuhën shqipe brenda 100 ditëve, prej sot Aleanca për Shqiptarët nuk ka më hapësirë për improvizime, por duhet të lëshojë qeverinë. Kryeministri Zoran Zaev, bashkë me zv/kryeministrin e “reformuar” Bujar Osmani, kanë bë të ditur shumë qartë se Ligji për gjuhën shqipe nuk do të miratohet brenda 100 ditëve. Ata kanë thënë se Ligji do të dërgohet për ekspertizë në Komisionin e Vendikut. Duke pasë parasysh procedurat e gjata për shqyrtim të një Propozim Ligji nga Komisioni i Venedikut dhe duke pas parasysh se nga formimi i qeverisë së re veçmë kanë kaluar 40 ditë, është më se e qartë se brenda 100 ditëve të kësaj qeverie nuk do të miratojë atë ligj.
Lideri joformal i Aleancës, Zijadin Sela lidhur me gjuhën shqipe u “kacafyt” edhe me eurokomisarin Johanes Han. Nëse nuk kanë qenë gënjeshtra informacionet për këtë “kacafytje”, opinioni shqiptar pret që Aleanca, respektivisht Zijadin Sela nuk do ta ketë problem të kacafytet me Zaevin dhe Ahmetin dhe pa kurrfarë hamendje të dalë nga qeveria.
Mund të supozoj se Aleanca, nëse ja ka ëndja të mbetet në qeveri, do të paraqitet me sqarime të stilit “ne kemi thënë se ligji brenda 100 ditëve duhet të futet në seancë parlamentare, e jo të miratohet”. Mirëpo shqiptarët janë lodhur më me kësi lloj sqarime. Këto gënjeshtra, të stilit të BDI-së nuk pinë më ujë. U pa kjo në zgjedhjet e fundit, kur 180 mijë shqiptarë votuan kundër tyre, sa do që një pjesë e votave shqiptare u manipuluan për të mbajtur BDI-në në pushtet.
As mos të shpresojnë se e hutojnë opinionin shqiptar dhe e defokusojnë duke plasuar informacione – “Aleancës do t’i takojë ky sekretar shtetëror, ose ky drejtor”. Ose informacione të llojit “do të punësohen 60 motra medicinale në filan ose fallan spitalin”. Nuk pinë më ujë as floskulat “bashkësia ndërkombëtare, integrimet euroatlantike”, që keqpërdoren për të arsyetuar mosrealizimin e të drejtave të shqiptarëve. I kanë tejkaluar shqiptarët krejt këto “finta”. I ka harxhuar BDI-ja. Sot Aleanca e ka rastin të tregojë nëse në qeveri është futur për biznes, apo për çështjen shqiptare. Sot Sela e ka rastin të dëshmojë nëse është gjakosur për çështjen shqiptare, apo për interesin e biznesmenëve të tij të afërt, që bashkëpunojnë dhe bashkëndërtojnë me Stevço Jakimovskin e Sasho Mijallkovit.
Meqë Aleanca, respektivisht partia më e madhe në këtë koalicion, LR PDSH-ja i nevojitet skenës politike shqiptare, do të ishte mirë që ata ta mbajnë fjalën dhe të lëshojnë qeverinë. Përndryshe elektorati shqiptar do t’i fshijë nga harta politike në Maqedoni. Ende nuk ua kanë falur që u futën në qeveri pa u miratuar Ligji për gjuhën shqipe (siç kishin premtuar), prandaj as mos të shpresojnë se do tua falte nëse vazhdojnë të rrinë në qeveri edhe pas 100 ditëve pa Ligjin për gjuhën shqipe. As mos të shpresojnë se shqiptarët do të pranojnë Ligj për gjuhën shqipe “shkel e shko”. Jo, jo. Do të kërkojnë pikërisht asi Ligji që u premtohej në fushatë nga udhëheqësit e Alencës për përdorim të gjuhës shqipe në gjithë Maqedoninë. Janë lodhur më shqiptarët nga politikanë patriotë me fjalë, e të gjymtë në vepra.
