“BDI votat i mori nga vlerat e UÇK-së e jo nga përkushtimi për homoseksualët”!

Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare shprehen të zhgënjyer nga Bashkimi Demokratik për Integrim pas deklaratës së deputetit të kësaj partie për sjelljen e një ligji për legalizimin e martesave homoseksuale, ndërkohë që ligji për invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve është lënë në harresë. Ushtarët thonë se ky ligj është një tradhti dhe thikë pas shpine për UÇK-në në emër të së cilës BDI ka marë votat në çdo cikël zgjedhor deri më tani.

Azbi Nuredini, ish-ushtar i UÇK-së, thotë se kjo është pikë së pari një tradhëti ndaj votuesve të BDI-së që e kanë votuar në permanencë nga 2002 deri në zgjedhjet e vitit 2016.

“Pastaj edhe një thikë pas shpine, një tradhti shumë e madhe ndaj ish ushtarëve të UÇK-së, qofshin ata udhëheqës apo ushtar të rëndomtë që gravitojnë në këtë parti apo që janë jashtë kësaj partie. Ata në tubimet paraelektorale kanë brohoritur UÇK, UÇK dhe kanë provuar përmes kauzës së UÇK-së disa vite me radhë të marrin vota dhe kanë marrë mandate të shqiptarëve. Komuniteti LGBT shtrohet pyetja, Branko Manajllovski dhe BDI a morën vota duke promovu këtë kauzë gjatë zgjedhjeve apo duke promovuar kauzën e UÇK-së në kontinuitet”
Azbi Nuredini thotë se bashkë me disa bashkëluftëtarë të tij kanë përpiluar një propozim ligj për statusin e ish ushtarëve dhe familjarëve të dëshmorëve të luftës së vitit 2001 të cilin do t’ua propozojnë partive pas konstituimit të të gjitha institucioneve. Ai tha se që nga viti 2002 e këndej “branitellat” kanë fituar 800 milionë euro nga beneficionet që u jep ligji, ndërsa ushtarët dhe familjet e dëshmorëve as edhe një qindarkë.

“Personalisht, ne kemi punuar gjatë kohë në këtë drejtim, në afirmimin dhe mbajtjen gjallë të kësaj fryme për miratimin e këtij ligji dhe kemi tekstin e propozim ligjit të gatshëm dhe ne kemi pritur që të konstituohen gjitha organet e Qeverisë dhe Parlamentit. Dhe do t’ju bëjmë thirje gjitha partive politike shqiptare, sepse kjo është çështje kombëtare, por është edhe çështje shtetërore dhe sëkëndejmi, do ju bëjmë thirje edhe gjithë partive parlamentare politike që ta përkrahin një ligj të tillë sepse është interes jo vetëm kombëtar shqiptar, por është edhe interes shtetëror”
Përndryshe, deputeti i BDI-së, Branko Manajllovski ditë më parë në Komisionin për System Politik kërkoi që në Maqedoni të miratohet një ligj për legalizimin e martesave mes çifteve homoseksuale dhe të gjitha të drejtat për këtë komunitet. Përmes një konference për mediat të mbajtur dje në Kuvend, Manojllovski përsëriti kërkesën dhe tha se nuk do të heq dorë deri në miratimin e ligjit në fjalë.