Ambasadori Reka priti në takim miqësor studentët shqiptar që kanë studiuar në Tiranë në vitet 90

Ambasadori Shqipëris në Shkup, Fatos Reka, sot priti në takim miqësor studentët shqiptar që kanë studiuar në Tiranë në vitet 90. Në ketë takim, Reka tha kjo “gjenerate i ka percjell të gjitha ndryshimet politike ekonomike dhe kulturote që kanë ndodhur ato vite”. Ai po ashtu përcolli edhe mbeshtetjen e kryeministrit Rama dhe dhe ministrit Bushati për këta student. “Ky takim këta student kanë për ti dhënë shumë vendit dhe rrugës që ka nisur Shqipëris drejt Evropës. Të gjitha lëvizjet studentore dhe nismat për çështjet shqiptare në veçanti arsimimin, mbajmë vulën e këtyre studentëve, tani takimet do të jenë më të shpeshta dhe në funksion të interesit shqiptar” potencoi Ambasadori Reka, përcjell FLAKA.

Mesin e të pranishmive, që viteve të 90-ta kanë qenë student në Tiranë, ishin shumë figura të njohuar publike nga Maqedoni, gazetarë, ish politikanë, politikanë aktualë dhe personalitetet tjera.

Fjalimi i plotë i z.Fatos Reka, Ambasador i Shqipërisë në Shkup:

Të nderuar pjesëmarrës, motra dhe vëllezër!

E mirëprita me shumë kënaqësi dhe pse jo edhe me entuziazëm këtë takim pas nismës së ndërmarrë nga ju për të organizuar një event të studentëve të dikurshëm të Universitetit të Tiranës.

Është nder dhe kënaqësi tu drejtohem nje brezi të tillë studentësh në këtë takim të gëzueshem dhe krejt miqësor, që shpresojmë të mos jetë i fundit, por të shërbejë si pikënisje për më shumë afërsi me njëri-tjetrin.

Fillimisht dëshiroj t’u shpreh simpatine time personale për rolin tuaj në afrimin e shqiptarëve të Maqedonisë me shtetin shqiptar.

Shqipëria dhe unë personalisht u është mirënjohëse të gjthë atyre vajzave dhe djemve si ju, që në nje nga periudhat e vështira të shtetit amë, kur shumë nga moshatarët tuaj braktisnin shkollimin dhe largoheshin nga Shqipëria, erdhët në Tiranë me vullnet dhe etje për arsim në gjuhën amtare.

Ju keni qënë fatlume që përkundër vështirësive të kohës, arritët të kryenit studimet universitare në Tiranë, në nje kohë kur nuk kishit universitet ne gjuhen shqipe këtu.

Sot gjërat janë shumë ndryshe. Janë 304 universitete publike dhe private ku mësohet shqip. Megjithatë, roli qendror i arsimit shqip në përparimin e kombit sa vjen e forcohet, sepse vetëm me arsim cilësor do të mund të jemi konkurues nesër në Bashkimin Evropian.

Keni jetuar në Shqipëri në kohën e transformimeve të mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore dhe keni ndarë me ne, të mirat dhe të këqijat e asaj periudhe.

E keni parë Shqipërinë të dalë nga komunizmi plot shpresë për në demokraci, të trazohet dhe rrëzohet sic ndodhi në vitet 1997 dhe 1998, por të ringrihet sërish dhe sot të jetë, anëtare e denjë e NATO-s dhe kandidate për anëtarësimin në BE.

Besoj jeni dëshmitarë të një kohe historike gjatë së cilës, Shqipëria, brenda mundësive të saj, është përpjekur të ofrojë ndihmë për mbrojtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar shqiptar në Maqedoni.

Mund të kishim bërë më shumë dhe më shumë do të bëjmë patjetër, por besoj se ndani mendimn se pas dy dekadash shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë këtej edhe andej kufirit.

Për këtë secili nga ju në mënyrën e vet ka dhënë kontributin e tij të dobishëm dhe për këtë si përfaqësues i Republikes se Shqiperise ju jam shumë mirënjohës pergjithmonë.

E dyta, dëshiroj nga ju miqësisht që ta shihni kohën tuaj të studimeve si burim frymëzimi, bashkimi dhe miqësie të përhershme me njëri tjetrin dhe si urë lidhëse me Shqipërinë.

Është më se e natyrshme që ju tashmë ushtroni profesione të ndryshme, jetoni në shtete të ndryshme dhe mund të aderoni në formacione të ndryshme politike. Megjithatë, përtej dasive dhe vështirësive, uroj që te mos hezitoni kurrë të punoni bashkë në nisma e projekte që synojnë përparimin e kombit shqiptar.

Për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit nuk ka nevojë të shpikim asgjë, pasi kemi shembullin e shkëlqyer të rilindasve tanë që u ngritën përmbi ndarjet dhe dasitë dhe gjetën shtegun e artë për krijimin dhe forcimin e një identiteti përbashkues që na lidh dhe bashkon edhe sot.

Së treti, uroj që ky takim i bukur pas kaq shumë vitesh të pasohet nga takime te tjera, qoftë këtu në Shkup, por pse jo edhe në Tiranë, Tetove apo Manastir ku ish-studentët e dikurshëm mblidhen, shkëmbejnë ide, ruajnë dhe forcojnë lidhjet me njëri-tjetrin dhe me shtetin shqiptar.

Ambasada e Shqipërisë është edhe mbetet gjithmonë një derë e hapur, gjithmonë e gatshme për të ofruar ndihmën e saj në projekte të tilla, si dhe në ndërlidhjen me ministritë dhe institucionet e ndryshme relevante ne Tiranë.

Duke e mbyllur këtë fjalë të shkurtër, dëshiroj tu përcjell po ashtu edhe përshëndetjet e përzemërta dhe vëllazorërore të Kryeministrit të Republikes se Shqipërisë Z. Edi Rama, si dhe te Ministrit të Puneve te Jashtme Z. Ditmir Bushati.

Shpresoj të mblidhemi sërish në takime të tilla miqësore e vllazerore, si dhe ju uroj suksese kudo që jetoni dhe punoni.

Gëzuar!!!

Shkup, 08 korrik 2017