Aksident i rëndë në Maqedoni, dy të vdekur

Dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë të lënduar kanë përfunduar në Spitalin Klinik në Shtip, pas aksidentit të mbrëmshëm që ndodhi në rrugën magjistrale Koçani-Dellçevë, para hyrjes në Dellçevë në rajonin Besarica.

Sipas informacioneve të mjekut Goce Stojmenovski – udhëheqës në shërbimet e mjekësisë urgjence, aksidenti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:30, ndërsa në të janë përfshirë katër makina.

“Për fat të keq nga lëndimet të brendshme ka ndërruar jetë 70-vjeçari S.J nga Dellçeva, ndërsa 61-vjeçarja D.A gjithashtu nga Dellçeva ka ndërruar jetë në Spitalin Klinik në Shtip, ndërsa djali dhe nusja e saj kanë kaluar me lëndime të rënda trupore, kurse dy persona tjerë janë lënduar më lehtë”, tha Stojmenovski.

Sipas informacioneve, aksidentin e ka shkaktuar një makinë e cila me shpejtësi të madhe është kyçur në kahen e kundërt të rrugës.

Policia ka kryer hetim në vendin e ngjarjes, por detaje tjera nga aksidenti akoma nuk kanë dhënë.