Begatitë dhe dobitë e shiut

Njerëzit pinë ujë prej tij dhe u japin bagëtive dhe kafshëve të tyre për të pirë. Pemët, drithërat dhe barërat mbijnë në sajë të shiut. Asnjë qënie e gjallë nuk mund të rrijë pa ujë. Allahu xh.sh thotë: “Ujin e bëmë bazë të jetës së çdo qënie. A nuk besojnë?”[1]

Imam Ibn Xheriri, në lidhje me shpjegimin e këtij ajeti, ka thënë: “Ne i kemi dhënë jetë çdo qenie me anë të ujit që zbresim prej qiellit.”[2]

Njerëzve u nevojitet uji në shumicën e nevojave të tyre. Begatitë, mirësitë dhe dobitë e zbritjes së shiut ndaj krijesave, Allahu xh.sh. i ka përmendur në shumë ajete të librit të Tij Fisnik.

Ai xh.sh thotë: “Ai është që për ju lëshoi nga (lart) qielli ujë, që prej tij të keni për të pirë dhe të keni bimë, që në to do t’i kullotni (bagëtinë). Me atë (shiun) mbijnë, për të mirën tuaj, të lashtat, ullinjtë, hurmat, rrushtë dhe nga të gjitha frutat (e pemëve). Në këto (të mira) ka argumente për një popull që vështron”[3]; “Edhe Ai është, që i lëshon erërat përgëzim në prag të mëshirës së Tij (shiut). Ne lëshuam nga qielli ujë të pastër, që me të t’i japim jetë një toke të vdekur dhe t’u japim të pijnë atyre që i krijuam, kafshë e shumë njerëz. Ne, shumë herë ua përkujtuam atyre këto fakte që të mendojnë, por shumica e njerëzve nuk dëshiruan tjetër, pwrveçse refuzimin”[4]; “Ne, nga qielli lëshuam shiun e dobishëm dhe më të bëmë që të kultivohen kopshte, e drithëra që korren, dhe rritëm trungje të gjata hurmash me fruta të paluara njëra mbi tjetrën, ushqim për njerëz dhe me të, Ne e ngjallëm tokën e vdekur, e kështu do të jetë edhe ringjallja.”[5]

Allahu e ka quajtur shiun të pastër, mëshirë dhe furnizim (rrisk). Ai thotë: “Allahu me atë furnizim që lëshon nga qielli, e ngjall tokën pas vdekjes së saj.”[6]

Imam Begauiu thotë: “Furnizimi këtu është shiu, i cili sjell rriskun dhe furnizimin e njerëzve.”[7]

Shiu është i begatë, sepse dobitë dhe mirësitë e tij janë të shumta. Për këtë arsye, kur është kohë thatësire dhe nuk ka reshje, Islami u ka mësuar njerëzve një lloj namazi të veçantë, i cili quhet namazi i kërkimit të shiut.

Çfarë duhet të bëjmë kur bie shi?

Kur bie shi duhet të themi: “O Allah, bëje atë shi të butë dhe të dobishëm!”

Aishja transmeton, se kur binte shi, i Dërguari i Allahut a.s. thoshte: “O Allah, bëje atë shi të butë e të dobishëm!”[8]

Gjithashtu, mund të themi se shiu ra në sajë të mirësisë dhe mëshirës së Allahut.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë në të dy Sahihet e tyre, se një ditë, i Dërguari i Allahut a.s, pasi gjatë natës kishte rënë shi, u tha shokëve të tij: “A e dini se çfarë ka thënë Zoti juaj?” Ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i tij e dinë”. I Dërguari i Allahut a.s tha: “Ai ka thënë: “Sot në mëngjes, disa prej robërve të Mi janë gdhirë besimtarë të Mi, e disa të tjerë mohues. Kush tha se shiu ra në sajë të mirësisë dhe mëshirës së Allahut është besimtari Im dhe refuzues i planetit, ndërsa ai që tha se shiu ra në sajë të këtij apo atij planeti është mohues ndaj Meje dhe besimtar i planeteve.”[9]

Gjithashtu, është e pëlqyeshme që besimtari të dali në shi gjatë kohës që ai është duke rënë dhe është mirë që të nxjerrë rrobet dhe sendet e tij që t’i lagë pak.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë në të dy Sahihet e tyre, se Enes ibn Maliku ka thënë: “I Dërguari i Allahut a.s po lutej ditën e Premte për shi, e pa zbritur akoma nga mimberi pashë pikat e shiut që rrokulliseshin mbi mjekrën e tij.”[10]

Muslimi transmeton në Sahihun e tij, se Enes ibn Maliku ka thënë: “Një mëngjes ishim me të Dërguarin e Allahut a.s. dhe zuri të binte shi. I Dërguari i Allahut a.s. zhveshi pak rrobat e tij, derisa iu duk një pjesë e trupit, të cilën më pas e lagu shiu. Ne e pyetëm: “O i Dërguar i Allahut, përse e bëre këtë? Ai a.s. u përgjigj: “Këtë e bëra, sepse ai sapo ka ardhur prej Zotit të vet.”[11]

Imam Buhariu transmeton në librin e tij “Edukata në një libër të veçantë”, se Ibn Abasi kur binte shi thoshte: “Moj vajzë, nxirrma shalën e kalit dhe nxirrmi rrobat” dhe më pas lexonte: “Ne zbresim prej qiellit ujë të begatë. [12]”[13]

[1] El Enbija; 30.
[2] “Tefsiri Taberiut” 17/20.
[3] En Nahl; 10-11.
[4] El Furkan; 48-50.
[5] Kaf; 9-11.
[6] El Xhathijeh; 5.
[7] “Tefsiri i Begauiut”; 4/157.
[8] Sahihul Buhari 2/21, kapitulli i kërkimit të shiut, tema: “Çfarë themi kur bie shi.”
[9] Sahihul Buhari 2/23, kapitulli i kërkimit të shiut, tema: “Ajeti “Dhe falënderimin për furnizimin tuaj, ju jeni që e gënjeni.” Suretu El Uakia; 82.
Sahihul Muslim 1/83, kapitulli i besimit, tema: “Kush thotë se shiu ra në sajë të këtij apo atij planeti, ka mohuar.”
[10] Këtë hadith e kemi përmendur më parw.
[11] Sahihul Muslim 2/616, kapitulli i namazit të kërkimit të shiut, tema:” Lutja në namazin e shiut.”
[12] Kaf; 9.
[13] “Edukata në një libër të veçantë”, fq. 542.