Gafurr Adili: Po përgatitet ringjallje e ‘rahmetli” Jugosllavisë

Fronti Demokratik për Bashkimin Kombëtar, ka reaguar ashpër kundër idesë së Malit të Zi për formimin e “Unionit Ballkanikoperëndimor”, me qendër në Serbi. Presidenti i FDBK, Gafurr Adili, deklaron se projekti G6 ose “Jugosllavia 3”, është i rrezikshëm dhe antishqiptar.

“Projekti G6 ose “Jugosllavia 3”, i raportuar nga mediat serbe është një projekt i rrezikshëm, me përmbajtje antishqiptare, sepse tenton të përfshijë edhe hapësirat e banuara nga shqiptarët, si Republikë e Kosovës dhe Republikë e Shqipërisë.“Emisarët shëtitës” të Podgoricës, Beogradit, bashkë me Bosnja Hercegovinën dhe Maqedoninë, ashtu si dikur agjenti i Beogradit Vukmanoviç Tempo, me këtë projekt duan të ringjallin prej të vdekurve rahmetaliun me emër “Jugosllavi”, që tashmë të përfshijnë atë që nuk ka mundur të përfshijë e vdekura e viteve 1945-1990, edhe Republikën e Shqipërisë. Nostalgjikët e Jugosllavisë duan të krijojnë një G6 me një Parlament të përbashkët, polici, treg, arsimim dhe sistem shëndetësor të përbashkët, pra një federatë-konfederatë të re, kinse e veshur ne veshje të “Bashkimit Evropian””, shprehet ai. Fronti Demokratik për Bashkimin Kombëtar, deklaron se është tërësisht antihumane dhe kundërproduktive krijimi i një projekti të tillë eksperimental dhe çdo tentativë do të dështojë tërësisht, sepse popujt e Ballkanit, sidomos populli shqiptar, nuk mund të pranojnë një përfshirje në një monstrum jugo-sllav.

“Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar (FDBK) e kundërshton këtë projekt dhe u kërkon politikanëve shqiptarë të Tiranës, të Prishtinës dhe të gjithë hapësirave shqiptare të Shqipërisë Etnike që të mos e pranojnë, sepse do të mbetën nesër të turpëruar para historisë. Ky projekt s’ka fare të bëjë me integrimet evropiane, por me dëshirat shoveniste, antishqiptare të shteteve sllave si Mali i Zi (prej nga rrodhi projekti, i zhytur tërësisht nën ujërat serbomëdha), “Maqedonia” (aleate e Beogradit) dhe Serbia (pretendentja e “violinës së parë” në udhëheqjen e rajonit). Prandaj, nuk duhet pranuar, sepse shqiptarëve nuk u duhet “projekte integruese panballkanike”. Shqiptarët duhet të integrohen pikë së pari në vetveten, në shtetin e tyre të vetëm kombëtar, pastaj të shkojnë në Bashkimin Evropian, pa kaluar në faza “tranzicioni” të tipit monstruoz G6”, thuhet në reagim.