In memoriam për Nënën Heroinë, që për të shpëtuar dy fëmijët e saj, luftoi me valët e detit

ATY KU HESHTJA FLET SHUMË

(In memoriam për Nënën Heroinë-DUA DAUTI-KADRIU, që për të shpëtuar dy fëmijët e saj, luftoi me valët e detit në Plazhin e Madh të Ulqinit)

Nëna, kudo dhe gjithnjë është nënë, madhështore. Dashuri e saj arrin zenitin e dhembje e saj tejkalon atë. Për fëmijët është gjithnjë me shpirt të kallur dhe, zemra i përvlohet. Loti i peshon më rëndë se guri i bjeshkës, kurse trimëria bëhet e paskajshme deri në sakrificë, madje edhe për t’a shuar vehten. Përgjithmonë! Në pakthim!
Por, heroina mbetet heroinë. Ajo flet edhe në heshtje. Me shembullin e trimërisë së paparë. Sot e përjetë - shqiponjë mbi shqiponjat.
Me heshtje flitet edhe dje, sot, nesër… në pamjen e hapur në Prizren e për të vazhduar në pamjen në Prishtinë në familjet e prindërve dhe të burrit, të Nënës Heroinë Dua Dauti-Kadriu. Të psikologes së shquar dhe juristes së angazhuar, poliglotes dhe veprimtares shumëdimensionale. Të nënës që për të shpëtuar dy fëmijët (djalin dhe vajzën fatlumë), sakrifikoi vehten në dyluftimin me valët e detit në Plazhin e Madh të Ulqinit.
Dhe, të jesh i pranishëm në odën ku pritet për ngushllime, përkundër dhembjes dhe pikëllimit që e përshkon madje edhe rrugicën e ngushtë të lagjes, megjithatë të shtohet krenaria për përkujdesin njerzor. Dhembja i bashkon njerëzit. Vapa përcëlluese nuk e pengon lumin e njerëzve nga të gjitha anët që vijnë për të shprehur ngushllimet për 36-vjeçaren e ndjerë Dua, atë që e njihte shumëkush si eksperte e sferës që e deshi me zemër. Këtë ambasadore të fëmijëve, të grave, të pleqve, të njerëzve me vështërsi, të prindërve…që psikologja Dua, shpeshherë, edhe përmes debateve televizive ua tansmetonte mesazhet e qarta. Arrijnë këtu për ngushllime miq, dashamirë e qytetarë nga Prizreni, Prishtina, Tetova, Tirana, Shkodra, Saranda e qytete tjera, madje edhe nga diaspora…, për të ndarë dhembjen me familjarë. Por, pothuaj të gjithë në heshtje e me lot në sy. Dhe kështu thonë më shumë se që do ta shprehnin me fjalë. Odës së pritjes kumbuan fjalët e zgjedhura të atyre që u shkon të flasin edhe atëherë kur e kanë vështirë. Fjalë të zgjedhura dhe kuptimplote që vijnë si një puhizë e lehtë për të flladitur pak sa zemrat e shkrumbuara. Foli Efendi Ali Vezaj, kryeimami i Prizrenit, pastaj Sheh Osmani nga Juniku, por edhe të tjerë, shkrimtari Ibrahim Kadriu, veprimtarë të angazhuar, profesor universiteti, deputetë, personalitete të jetës shoqërore, politike, të kulturës e sportit si Veton Surroi, Hajredin Kuqi, Xhevat Syla, Ardian Gjini, Nait Hasani, Agron Dida, Hashim Rexhepi, Kujtim Paçaku, Çerim Bajrami, Gjezair Murati, Agim Zogaj, Beqir Sadikaj, Mehdi Bektashi, Abdullah Aliu, Ismet Jashanica, moderatorët e gazetarët Abdulla Hoxha e Mentor Mripa e shumë të tjerë. Por, të heshtur para dhembjes mbeten babai i Duas, Besniku, xhaxhai Bashkimi, dajët Mynyr e Naim Dukagjini…që ndodhen në pranimin e ngushllimeve.
Të gjithë, e thanë dhe rithanë kuptimploten se Nëna Heroinë-Dua, u bë simbol i sakrificës për kandilat që duhet të ndriçojnë jetës, si shqiponja për zogjtë, madhështore mbi madhështoret.
E tillë do mbetet për të qenë shembull mbi shembujt, Dua Dauti - Kadriu, kjo pinjolle e familjes Dauti, mbesë e pishtares së arsimit, Gjyshes Sela nga Kavaja dhe atdhetarit të shembullt, Gjyshit Ali, prizrenasit të devotshëm, pastaj stërmbesë e patriotit Hafëz Jakub Dukagjini Muqeziu dhe nuse në familjen e Prof. Dr. Sabri Kadriut, njeriut të palodhshëm të shkencës.
Psikologja Dua, u sakrifikua për jetën e dy filizave të njomë por, shebulli i saj mbetet i përhershëm që do të kujtohet brez pas brezi. Nëna Heroinë Dua, do të jetoj gjithnjë si shembull i virtyteve më të larta.
Çofshin të shëndetshëm e me jetë të gjatë sa malet zogjtë e Shqiponjës DUA DAUTI - KADRIU!
Ajo u shua si qiriri, për të ndezur flakadanin e të jetuarit të dy kandilave me sy stralli që do e jetojnë jetën.
Lavdi Nënë Heroinë!

(Çerkin Bytyçi, Rw, 09.07.2017)