Politizimi, financat e ulëta nga buxheti i shtetit, mungesa e kuadrit dhe numri i madh i studentëve nga ana tjetër, mungesa e bibliotekës universitare, e konvikteve studentore dhe e mensave për ushqim, janë disa nga problemet me të cilat përballet Universiteti i Tetovës. Gjatë prezantimit të raportit për punën e universitetit të vitit akademik 2015-2016, deputetët drejtuan kritikat dhe dilemat e tyre ndaj këtij institucioni të arsimit, transmeton Alsat-M.
Për fat të keq nuk arrijmë dot ta eliminojmë perceptimin që krijohet në opinion se universitetet në shumë raste shndërrohen edhe në çerdhe politike të partive. Mendoj se mbetet shumë punë në të ardhmen nga stafi drejtues i universitetit, ta eliminojnë këtë perceptim të opinionit publik. Përderisa në universitetet tjera kemi shtëpi studentësh, konvikte, kemi restorante ose mensa ku student mund të ushqehet me një çmim relativisht të ulët për to, kostoja e studimit në UT në mospasje të këtyre kushteve mendoj se është pak më e lartë- deklaroi Syrija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët.
Nuk është aspak e arsyeshme që ky universitet I bën më shumë se dhjetë vite prej se është zyrtarizuar dhe më shumë se njëzet vite prej se është themeluar dhe akoma edhe sot nuk ka bibliotekë universitare– deklaroi Zeqirija Ibraimi, Besa.
Më intereson edhe për stafin pedagogjik në fakultetin e mjekësisë, cili është statusi i punësimit të tyre? Sepse do të kisha bërë vërejtje për kushtet në klinikën spitalore, janë shumë të vështira dhe nuk është investuar aspak. A planifikoni që të investoni në këtë drejtim?- tha Gjylymsere Kasapi, LSDM.
