Arabi Saudite, zjarri lë 11 punëtorë migrantë të vdekur

Njëmbëdhjetë punëtorë migrantë vdiqën nga asfiksia kur zjarri përfshiu një shtëpi pa dritare në të cilën ata po jetonin në Arabinë Saudite.

Gjashtë të tjerë u plagosën në një zjarr në qytetin jugperëndimor të Najranit.

Mediat arabe kanë raportuar se guvernatori i rajonit ka urdhëruar një hetim duke shprehur shqetësim lidhur me strehimin e punëtorëve.

Rreth 9 milionë të huaj punojnë në Arabinë Saudite, shumë prej tyre nga Azia Jugore.

Grupet e të drejtave të njeriut ankohen se punëtorët e huaj shpesh vuajnë nga kushtet e këqija dhe nuk janë në gjendje të ndërrojnë punë ose të largohen nga vendi pa lejen e punëdhënësve të tyre.

Në vitin 2015, 11 persona vdiqën pas një zjarri në një bllok të banimit për punëtorët e huaj në qytetin lindor Khobar.