“Maqedonia në sanduiç mes dashurisë së vjetër sllavo-ortodokse dhe afrimit ndaj perendimit”

Shqipëria dhe Kosova kanë pasur një qëndrim të përafërt me BE dhe SHBA për zhvillimet në Maqedoni. Nëse Shqipëria dhe Kosova kanë luajtur një ndonjë rol, ai ka qenë thjeshtë konsultues dhe me dëshirën që faktori shqiptar në Maqedoni të jetë i unifikuar që kërkesat që shkojnë në favor të shqiptarëve atje.
Në këtë frymë ishte edhe deklarimi i Edi Ramës pas takimit që pati me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, ku një një intervistë për mediat ai u shpreh se “sa më e fortë dhe demokratike të jetë Maqedonia, aq më mirë është edhe Shqipëria”.

Por në anën tjetër, gjatë vizitës zyrtare që pati ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, në Athinë para mediave ka thënë se Sebria ka gabuar që ka njohur Maqedoninë me emrin e saj kushtetues.

Këto deklarime janë një vazhdimësi e politikave që Serbia i ka trashëguar nga shekulli i kaluar dhe nuk janë në frymën e bashkëpunimit të mirë ndërfqinjësor.
Nga ana tjetër nga BE-ja thonë se vendet e Ballkanit Perendimor duhet që të ndërtojnë politika të mira ndërfqinjësore si e vetmja alternativë për zhvillim sa më të madh ekonomik.

Në lidhje me këtë analisti Faton Aliti për Gazetën Express shprehet se këto deklarime të Daçiqit nuk i kontrinuojnë fare bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe u shërben forcave që janë kundër integrimit të rajonit në strukturat euro-atlantike dhe si të tilla duhet që sa më shpejtë të eliminohen.

“Deklarata e zotëriut Daçiç nuk është fare në frymën e integrimit dhe bashkëpunimit regjional të shteteve të Ballkanit. Edhe më keq, deklarata se Serbia ka gabuar kur e ka pranuar pavarësinë e Maqedonisë mund të interpretohet edhe si një keqardhje që Maqedonia nuk u sulmua nga ana e regjimit të Millosheviqit në fillimin e viteve 90, pjesë e të cilit ishte edhe Daçiç. Gjithashtu ky incident do ta quaja, mund të shihet edhe nga këndvështrimi i të shërbyerit të forcave të cilat janë kundër integrimit të rajonit në NATO dhe BE, rrjedhimisht forca të cilat do të dëshironin destabilizim. Mendoj se sa më shpejt që largohen nga politika mentalitete të tilla aq më mirë për rajonin.”, thotë Aliti.

Sa i përket lëvizjeve të fundit të kryeministrit Zaeve në sferën e përmirësimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore, sipas Alitit, janë të drejtuara në rrugë të duhur, pavarësisht fërkimeve që ndodhën me opozitën rreth përmbajtjes së marrëveshjes së arritur me Bullgarinë.

Kurse për pozicionet e palës greke rreth kontestit me emrin,Aliti beson, se do të ketë një ritje të presionit nga Brukseli dhe Uashingtoni ndaj Athinës për të evituar rrezikun e destabilizimit të rajonit, nëqoftë se edhe më tej Maqedonia do të ngelet jashtë ombrellës së NATO-s.

“Sa i përket lëvizjeve të Qeverisë Zaev në drejtim të ndërtimit të marëdhënieve të mira ndërfqinjësore, mendoj se janë bërë disa hapa pozitiv. Marrëveshja e paralajmëruar me Bullgarinë ka nxitur debate në të dy shtetet. Ka edhe nga ata që shprehin pakënaqësi nga të dyja anët, por kjo vetëm se i shton gjasat që marrëveshja të jetë win-win situatë, sepse kompromisi gjithmonë nënkupton dy palë më pak të kënaqura. Vizita e ministrit të jashtëm Dimitrov në Athinë gjithashtu ishte shumë pozitive, të paktën për arsyen se u promovua një qasje e re ndaj problemit me emrin. Me këtë topi kaloi në fushën e Greqisë dhe besoj se presioni i Brukselit dhe Uashingtonit ndaj Athinës zyrtare do të ritet. Të paktën ky presion do të jetë më i lartë në drejtim të integrimit në NATO, sepse vetëm kështu mund të evitohet rreziku i destabilizimit të rajonit.”, thotë analisti Faton Aliti.

Nga qeveria Zaev, Aliti pret që të ketë lëvizje ngjajshme edhe në drejtim të Tiranës dhe Prishtinës, me çka kjo qeverisje do të vërtetonte deklarimet se është e angazhuar për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë, pa përjashtime.

“Pres që në të ardhmen e afërt lëvizje të ngjashme të bëhen edhe në drejtim të Tiranës dhe Prishtinës, me çka Qeveria Zaev do të vërtetonte deklaratat se Maqedonia është e interesuar për marrëdhënia të mira me të gjithë fqinjët dhe në mënyrë të njëtrajtëshme.”, thotë Faton Aliti.

Në anën tjetër, ish anëtari i kryesisë së RDK-së, Artan Dika për Gazetën Express, thotë se kjo shfryerje e pakënaqësisë së Daçiqit kryekëput ka të bëjë me raportin që ka Maqedonia me Kosovën, duke shtuar se ky raport më tepër është produkt i presionit të jashtëm se sa i vullnetit të brendshëm, pasi politika e jashtme e Maqedonisë ende është në sanduiçin mes dashurisë së vjetër sllavo-ortodokse dhe detyrimit për t’u afruar dhe ndjekur perendimin për hir të zhvillimit dhe përparimit të gjithanshëm.

“Deklarata e Daçiqit është një lloj shfryrje e pakënaqësisë me qëndrimet e Maqedonisë në politikën e jashtme, pikë se pari në raport me Kosovën. Daçiq në një lloj mënyre e di se këto qëndrime të Maqedonisë, më shumë se produkt i vullnetit të brendshëm janë pasojë e presionit të jashtëm perendimor, por ai po përdor edhe kërcënimin si formë për ta paralajmeruar Maqedoninë për të ardhmen se nëse ajo mbështet Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare Serbia do mbajë qëndrime kundër Maqedonisë, në kontestet ku ajo është palë, pikë se pari në atë me Greqinë. Politika e jashtme e Maqedonisë ende është në sanduiçin mes dashurisë së vjetër sllavo-ortodokse dhe detyrimit për t’u afruar dhe ndjekur perendimin për hir të zhvillimit dhe përparimit të gjithanshëm. Edhe politika e jashtme e Maqedonisë është reflektim i gjendjes në sferat tjera shoqërore te të gjendurit të bllokuar mes prirjeve antishqiptare të rrënjosura nga e kaluara, gjë që e mban vendin në tension, prapambetje dhe konflikt dhe te të kuptuarit se stabiliteti, zhvillimi dhe përparimi i vendit varet pikë se pari nga raportet e harmonisë dhe mirëkuptimit mes popullsisë maqedone sllave të këtij vendi dhe asaj shqiptare. Vullneti për të ndjekur opsionin e dytë shprehet në deklaratat e Kryeministrit Rama.”, thotë ish anëtari i kryesisë qendrore të RDK-së, Artan Dika.