A do të ketë vallë vullnet politik për realizimin e regjistrimit të popullsisë

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni është vonuar seriozisht, qeveria e re e ka në programin e qeverisë,një pjesë e analistëve thonë se e rëndësishme për këtë çështje është vetëm vullneti politik.

Qeveria do të realizojë një regjistrim të popullsisë sipas kritereve dhe standardeve ndërkombëtare, kurse të dhënat do t’u mundësojë institucioneve shtetërore, botës akademike dhe shoqërisë civile një analizë të vërtetë dhe krijimin e politikave realistenë çdo sferë. E gjitha kjo është e theksuar në programin e qeverisë së re, por një pjesë e analistëve besojnë se çelësi i regjistrimit është tek vullneti politik, kurse një pjesë tjetër thonë se pengesë është kapërcimi i barierave profesionale.

Sipas Donço Gerasimovski, ish-drejtor i Entit Shtetëror për Statistika, kushti i parë është vullneti politik dhe për të eliminuar këtë pengesë është e nevojshme që të arrihet një marrëveshje në mes partnerëve të koalicionit qeverisës dhe i të gjithë subjekteve tjera.

Pengesa e dytë, shton ai, është përputhja e rekomandimeve të Eurostatit dhe Kombeve të Bashkuara për metodologjinë e realizimit të regjistrimit të popullsisë.

“Gjithmonë është folur edhe nga ekspertët edhe nga profesionistët nga grupe të ndryshme etnike besojnë se problemi është tek harmonizimi i metodologjisë, dmth regjistrimi i popullsisë që është e pranishëm ose mungon nga vendi deri në një vit apo më shumë se një vit,” thotë Gerasimovski.

Maqedonia nuk ka kryer regjistrim që 15 vite, përpjekja e fundit për të regjistruar popullsinë u ndërpre në vitin 2011. Atëherë deputetët nga shumica në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI votuan për ligjin për ndërprerjen e regjistrimit, kurse opozita e atëhershme e kishte kundërshtuar.

Në manifestin e VMRO-DPMNE, që kjo parti e njoftoi në fillim të prillit të këtij viti ka propozuar mbajtjen e regjistrimit pa vonesa.

Sipas analistit politik Albert Musliu, nuk ka pengesë tjetër përveç vullnetit politik, dhe përskaj kësaj, shkak që nuk u realizua deri më tani ky regjistrim i popullsisë është, siç thotë ai, edhe tendenca për ta shfrytëzuar për qëllime politike.

“Regjistrim kanë edhe shumë shtete me popullsi homogjene etnike dhe rezultatet i kanë shfrytëzuar për planifikimin e politikave në të gjitha sferat. Këtu tek ne, për fat të keq, e gjithë vëmendja e regjistrimit të popullsisë përqendrohet në tema politike që në veçanti kanë të bëjnë me përbërjen etnike. Mendoj se në qeverinë e re ka një vullnet komod dhe politik për të kryer regjistrimin e popullsisë “, thotë Musliu.

Pas ndërprerjes së regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, atëherë LSDM-ja opozitare akuzoi se qeveria nuk është në gjendje të zbatojë, ngrit edhe padi penale për ndërprerjen e këtij operacioni statistikor, kurse vitin paraprak paraqiti edhe një projekt-ligj për realizimin e regjistrimit të popullsisë.