Krenaria e shqiptarëve të Tetovës është SHKËNDIJA

Shkëndija është ambasadori më i mirë i shqiptarëve i viteve të fundit në Evropë. Kuqezinjtë vit pas viti po i radhisin sukseset në Europa League, duke e shkruar historinë. Skuadra tetovare duket se këtë trend do ta vazhdojë edhe sivjet, pasi e eliminoi me lehtësi Daçian dhe këtë është afër ta bëjë edhe ndaj Helsinkit. Ëndërr e skuadrës shqiptare nga Maqedonia është kualifikimi në fazën e grupeve të këtij kompeticioni. Dhe, me një klub të organizuar dhe me aromë evropiane asgjë nuk është e pamundur, shkruan sot, gazeta Zeri.

Shkëndija është bërë sinonim i suksesit në vitet e fundit. Skuadra tetovare po ua zbardh fytyrën shqiptarëve me sukseset që po i arrin në arenën ndërkombëtare. Vit pas viti skuadra shqiptare nga Maqedonia po shkon lart e më lart, kjo falë organizimit të klubit në stil evropian me pronarin Lazim Destani dhe me bashkëpunëtorët e tij.

Kuqezinjtë vitin e kaluar e kishin shkruar historinë duke arritur suksese të jashtëzakonshme. Por, tetovarët nuk e kanë ndërmend ta lënë me kaq. Edhe pse nuk e patën një sezon prej më të mirëve në Maqedoni, ku përfunduan si nënkampionë në ligë dhe finalistë në Kupë, ky fakt u harrua shpejt nga tetovarët, të cilët u mobilizuan menjëherë dhe frytet kanë nisur të vërehen.

Shkëndija e deklasoi ekipin moldav, Daçia, në rrethin e parë eliminator, duke e dërguar në shtëpi pasi e mposhti 7:0 me rezultat të përgjithshëm.

Ndërkaq, në rrethin e dytë Kuqezinjtë u treguan po aq bindës ndaj kampionit finlandez, Helsinki, një emër i njohur në futbollin evropian. Shkëndija fitoi të enjten 3:1 në Strumicë, falë tregolëshit të Besart Ibraimit, por rezultati ka mundur të ishte edhe më i lartë sikur të shfrytëzoheshin rastet.

Ky rezultat e afron Shkëndijën me fazën e tretë të Europa Leagues, edhe pse kualifikimin në këtë rreth duhet ta konfirmojë pas ndeshjes së kthimit, që do të luhet të enjten tjetër në kryeqytetin finlandez.

“Nuk e nisëm lojën siç duam dhe nuk luajtëm në nivelin e duhur dhe si rezultat i kësaj e pruam edhe golin. Pas kësaj, u stabilizuam dhe fati ynë ishte se shumë shpejt u kthyem. Në pjesën e dytë, gjatë gjithë 45 minutave dominuam, i dhamë tre gola, por edhe disa raste 100 për qind nuk i shfrytëzuam. Më gëzon fakti se pas rezultatit negativ, Shkëndija tregoi një karakter të fortë dhe urime për fitoren”, ka thënë trajneri Qatip Osmani, i cili ka merita të mëdha për këto rezultate të favorshme.

Trajneri shqiptar është i vetëdijshëm që skuadra e tij ka avantazh ndaj finlandezëve, por kërkon kujdes dhe angazhim maksimal nga lojtarët e tij për ndeshjen e kthimit.

“Pas asaj që e kemi parë në fushë duhet të jemi të kënaqur edhe pse ende asgjë nuk ka mbaruar, na mbetet edhe loja në Helsinki. E kemi një përparësi të vogël, por duhet t’i luajmë edhe 90 minuta siç dimë dhe shpresojmë të kalojmë në rundin tjetër”, vazhdoi ai.

Osmani shpreson që sa më shpejt Shkëndija të luajë në stadiumin e tij, pasi mendon se po të luante ekipi në Tetovë fitoret do të ishin edhe më bindëse, sepse “Ballistët”, shton ai, i japin një shtesë, një motivim plotësues, i cili sigurisht se për momentin po i mungon ekipit.

Shkëndija mund të nxjerrë hak për FC Prishtinën

Shkëndija e ka bërë një hap të madh drejt fazës së tretë kualifikuese të Europa Leagues. Dhe, nëse shkon në këtë fazë mund të përballet pikërisht me kundërshtarin e FC Prishtinës, IFK Norrkoping, i cili në ndeshjen e parë të rrethit të dytë e mundi ekipin Traku FK me rezultat 2:1. Me këtë rast, Kuqezinjtë, përpos fitores për vete, do të mundeshin të nxjerrin hak ndaj ekipit suedez për eliminimin e gjigantit kosovar në rrethin e parë të këtij evenimenti./ZERI/