Një ditë pas kërcënimit të ekipit të Televizionit SHENJA në lagjen Dyqanxhik të Çairit nga persona të cilët u prezentuan si aktivistë të BDI-së, kreu i Komunës së Çairit dhe nënkrytar i BDI-së, Izet Mexhiti ende nuk ka bërë asnjë reagim. Mexhiti as nuk është distancuar nga kërcënuesit të cilët thirreshin në emër të tij, Komunës që drejton dhe partisë së njëjtë dhe as nuk ka dënuar aktin në fjalë. Mexhiti nuk i është përgjigjur as pyetjes me shkrim drejtuar nga redaksia jonë.
PYETJA DREJTUAR KRYETARIT TË KOMUNËS SË ÇAIRIT
“Dje disa persona të cilët prezentoheshin si aktivistë të BDI-së në lagjen Dyqanxhik kanë kërcënuar ekipin tonë dhe kanë penguar të kryejmë punën. A do të reagoni, do ta dënoni dhe a do të distancoheni nga ky akt që personat në fjalë e kanë kryer në emër tuaj dhe komunës që drejtoni?”
Kësaj pyetjeje kreu i Çairit, Izet Mexhiti ende nuk i është përgjigjur në asnjë formë. Përndryshe, ekipi i televizionit SHENJA dje doli përsëri për të incizuar rastin me gropën në lagjen Dyqanxhik, që për ditë me radhë kishte vështirësuar jetën banorëve.
Por, disa persona të cilët janë prezentuar si aktivist të BDI-së, kanë penguar ekipin që të kryejë punën dhe janë kërcënuar që në të ardhmen të mos transmetohen kronika të ngjashme. Deri në këto çaste rastin e kanë dënuar kryeministri Zoran Zaev dhe Agjencia për Veprimtari Audio dhe Audio vizuele, ndërsa reagime kanë paralajmëruar edhe institucione dhe organizata të tjera joqeveritare. /SHENJA
