Pikturimi i figurave historike shqiptare në sheshin “Skënderbeu”, që parimisht duhej të ishte urë lidhëse në mes dy komuniteteve, lidhjes së Çarshisë së vjetër dhe sheshit Maqedonia kohën e fundit po del që realisht ky shesh do të jetë një vijë ndarëse mes komuniteteve në fjalë. Njohësit e rrethanave politike në vend dhe gazetarët mendojnë se figurat e paraqitura në mural të sheshit “Skënderbe” më shumë respektohen e nderohen me vepra konkrete sesa me pikturaa e portrete të tyre.
Kryetari i OVL-së, Besim Hoda thotë se në parim, nuk do kishim asgjë kundër në promovimin e figurave kombëtare veçanërisht në hapësirat shqiptare në Maqedoni, por kjo, sipas tij, do ishte pjesë e fundit pas mbarimit të asaj që realisht këta zotërinjtë paguhen dhe thirren në emër të mbrojtjes së interesave shqiptare.
“Sigurisht që figurat shqiptare, ata historike kanë kryer punën e vet në histori dhe kjo punë ka qenë ngritja e vetëdijes dhe sakrifikimi në emër të çështjes kombëtare. Pra, për këta figura sigurisht do të ishte kënaqësi dh ëndërr sikur zotërinjtë në fjalë të vepronin konform qëllimit të luftës së 2001-shit, me të cilët kanë ardhur në pozicionet politike dhe në emër të së cilës ata thirren vazhdimisht”, theksoi Hoda.
“Më primare është zgjedhja e statusit politik të shqiptarëve në Maqedoni, rritja e mirëqenies ekonomike dhe gjendjes reale politike që fatkeqësisht lë shumë për të dëshiruar, duke i shtuar mungesën e institucioneve konkrete në mbrojtje të vlerave kombëtare të monumenteve historike po edhe të monumenteve të fundit të luftës së 2001-shit kjo dëshmon se gjithçka mund të mbetet vetëm në suaza të marketingjeve politike dhe asgjë më shumë”, deklaroi ai.
Hoda është i vendosur se promovimi i figurave të tilla pa zgjedhjen konkrete të statusit politik të shqiptarëve në Maqedoni nuk është një sinjal i mirë i veprimit politik por thjesht mbetet si një marketing politik e asgjë më tepër.
Nga ana tjetër gazetarja Farie Dauti Bakiu në rrjetin social facebook ka shkruar se askujt nuk i pengojnë pikturat, sheshet e bustet, por kur ato bëhen më të rëndësishme se jeta e njeriut, kjo është e pafalshme…
“Ore, a jeni duke e pa ju Çairin? Sa herë që bie shi bëhet kënetë-moçal nga gjirizi që s’ka ku shkon (pa kanalizim), rrezikohet jeta e njeriut, uji shkon si lum nëpër rrugët tona, veturat i bartë si varka. Ore njerëz a jeni duke e pa Gazi Babën, Dizhonin dhe Seravën, janë bë Geto (njerëz të varfër në çdo cep, përditë kërkojnë ndihmë). A s’jeni duke e pa që nga ana e shqiptarëve fatura e rrymës vjen sa rroga mesatare mujore ne Maqedoni?
Ore, a ju ka verbuar Zoti e nuk shihni që përditë i shkelin fëmijët në rrugë në mungesë të rendit dhe zbatimit të ligjit! Po a si shihni mor njerëz ato gropa që ua prishin veturat? Ato parqe qe janë bë si deponi mbeturinash? Po ato rrugë që janë bë parkingje në mungesë të tyre? Ato ndërtime pa leje që na e zënë frymën. Aty ku ndodh ekocid me natyrën e gjelbërimin”, shkruan Bakiu.
Në fund Bakiu ka thënë se vetëm në Çair, shkollat i kanë nga dy emra dhe të njëjtat bëhen shtabe partie, pronat publike bëhen restorante dasmash. Duke përkujtuar se vetëm në xhungël të dobëtin e ha i forti, njëlloj është edhe Çairi. “Të flasësh përball kësaj katrahure është obligim njerëzorë, ndërsa të heshtësh është krim. Ju ose të verbër jeni që na shitni kopalla patriotizmi ose nuk jeni në vete çka flisni..!”, përfundon shkrimi i saj.
