Policë nga Shqipëria dhe Maqedonia patrullojnë në Strugë

Këtë sezon turistik në Strugë, patrullimi i policisë do kryhet nga policë të Shqipërisë në bashkëpunim me ata të Maqedonisë.

Njëkohësisht, patrulla të përziera policore maqedonase dhe shqiptare ka në qytetin turistik të Sarandës ku pritet të kujdesen për sigurinë e turistëve.

“Patrullat policore që përbëhen nga nëpunës maqedonas dhe shqiptarë para se gjithash do të kenë detyrë parandaluese. Do të paraqesin ndihmë plotësuese të nëpunësve policor për rendin dhe qetësinë publike dhe siguri më të madhe për turistët nga Maqedonia në në Sarandë dhe turistëve shqiptarë në Strugë.” – thotë për Alsat-M, Stefan Dimovski, nga SPB Ohër.

Ata do të jenë prezent në tërë qytetin, rrugët kryesore, në breg përkatësisht në çdo vend ku do të ketë nevojë të zgjidhen probleme të caktuara lidhur me akomodimin e turistëve.

Policët nga Shqipëria në Strugë do të qëndrojnë deri në fund të verës.

Policia e Maqedonisë është prezente edhe në Budva, Mal të Zi si dhe në Shibenik të Kroacisë.

Megjithatë, patrullat e përbashkëta janë një gjë ndërsa tjetër gjë është numri i turistëve nga Shqipëria dhe Kosova këtë vit në Ohër dhe Strugë.

Sipas hotelierëve lokal, numri është ulur krahasuar me vitin e kaluar, para se gjithash për shkak të infrastrukturës më të mirë rrugore që çon drejt bregdetit të Shqipërisë.