Pas asfaltimit të rrugës që lidh Maqedoninë me Kosovën në malësinë e Karadakut, gjithnjë e më shumë shtohen kërkesat për hapjen sa më të shpejtë të pikës kufitare Bellanoc – Stançiç, transmeton Zhurnal.mk
Pas kryetarit të Gjilanit , Lutfi Haziri edhe këshilltari në Këshillin e Kumanovës, Feriz Dervishi, me origjinë nga fshati Bellanoc, është optimist se ky vendkalim kufitar do të hapet gjatë këtij viti.
“Unë mendoj se në Qeverinë e mëparshme ka pasur disa opstruksione , kurse tash në Qeverinë e re, kemi njerëz që janë optimist, e kanë fuqoinë, e kanë energjinë dhe do të japin gjithçka prej vetes. Edhepse ngec pak në këtë drejtim se kjo pikë kufitare është dasht të hapet në muajin gusht , por ka disa procedura që duhet të jenë në anë ligjore . Jam optimist se gjatë këtij viti do të hapet ky vendkalim kufitar”, thotë Feriz Dervishi për MTV2.
Derisa gjatë tri dekadave të fundit , përshkak kushteve tejet të vështira për jetesë, fshati Bellanoc ishte tërësisht i boshatisur , respektivisht vetëm me një familje të mbetur, tani me fillimin e rrugës janë ndërtuar mbi 20 shtëpi të reja por ka iniciativa edhe për biznese të ndryshme .
“Tani me ndërtimin dhe rregullimin e rrugës , siç e patë edhe ju se është bërë një rrugë moderne , kanë fillu njerëzit prap ti kthehen vatrave të tyre. Kanë fillu të ndërtohen shtëpi të reja . Deri më tani janë ndërtuar 23-24 shtëpi . Banorët dalin më tepër verës në pushim , por me këto kushte të krijuara sigurisht se do të ketë edhe një zhvillim ekonomik , do të fillojnë të ndërtojnë donjë restoran, pompë benzine , pse jo edhe ndonjë fabrik për përpunimin e qumshtit dhe përpunimin e mbeturinave të drurit për briketa dhe biznese tjera”, nënvizon Feriz Dervishi.
Gjithsesi kjo pikë kufitare do të jetë e një rëndësie të jashtëzakonshme edhe në lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët e kufirit, por edhe në bashkëpunimin ndërkufitar në sfera të ndryshme të jetës.
