Partitë shqiptare në seancën e sotme të Komisionit për financa dhe buxhet kërkuan më shumë mjete me këtë rebalancin e buxheti për projektet shqiptare dhe për përmirësimin e jetesës së qytetarëve shqiptarë në vend.
Deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli, tha se “Besa” kërkon të ndahen mjete në buxhet për ndriçimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
“Thonë arsyetimi ka të bëjë me 600 mijë denarë mjete financiare për ndriçimin publik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit në komunën e Çairit, që është trashëgimi kulturore jo vetëm i qytetit të Shkupit, komunës së Çairit, por është i të gjithëve ne qytetarët e vendit, aty jetojnë qytetarë të etnikumeve të ndryshme dhe është një nga pikat e rëndësishme turistike që turistët kur vijnë në Shkup një nga atraksionet kryesore të tyre është pikërisht Çarshia e Vjetër”,- deklaroi Fadil Zendeli nga Lëvizja “Besa”.
Zëvendësministrja e Financave, Shirete Elezi, u përgjigj se kjo që kërkon Lëvizja “Besa” është nën kompetencat e komunave dhe parashihet me decentralizimin fiskal, i cili duhet të përkrahet deri në fund nga të gjitha partitë politike, por informoi se me rishikimin e buxhetit për nivelin lokal sigurisht se komuna e Çairit do të kërkojë një buxhet shtesë për investim në Çarshisë së Vjetër.
“Për momentin, meqë kalon rebalanci i buxhetit të shtetit, sigurisht do të kalojnë edhe rebalancet e niveleve lokale dhe ndoshta këshilltarët që janë pjesë e komunës së Çairit parashtrojnë ndryshimet në lidhje me realizimin e këtij projekti për shkak se vlera nuk është shumë e madhe, diku në fund të nëntorit do të ketë shpallje publike në lidhje me aplikimin e mjeteve për zhvillim të barabartë rajonal, janë fonde që ndan Ministria e Pushtetit për Vetëqeverisje Lokale, ku komuna së bashku me të gjithë anëtarët apo kryetarët që janë pjesë përbërëse e këtij këshilli, që përbën rajonin e Shkupit, ndoshta do të parashohin dhe një projekt pak më madhor me vlera më të mëdha, për shembull komuna e Çairit të përfshijë ndriçimin në të gjithë rajonin e saj”,- theksoi zëvendësministrja e Financave, Shirete Elezi.
Deputeti, Rexhail Ismaili, tha se nga BDI e mbështesin kërkesën e “Besës” për arsye se komuna e Çairit veç më ka bërë kërkesë për mjete shtesë për Çarshinë e Vjetër.
Sipas tij, nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë kërkuar gjithashtu mjete shtesë edhe për projektet e tjera me interes të shqiptarëve, siç është projekti për Universitetin “Nëna Terezë”, si dhe 1 milion denarë për Muzeun e Alfabetit shqip në Manastir.
“Isha në kontakt me kryetarin e Komunës, Izet Mexhitin, dhe më informojnë se ditën e djeshme ka aplikuar në projekt të Bankës Botërore, projekt që kap vlerën 1 milion euro dhe nga këto 1 milion euro komuna e Çairit ka kërkuar të investohen në Çarshi dhe atë në rregullimin e 70 vitrinave të dyqaneve dhe rregullimin e kalldërmës. Kërkesa e kryetarit të Çairit në projektin e Bankës Botërore, e cili më informoi se realisht do të jetë fitues në këtë projekt dhe do të bëjë 70 vitrinave të dyqaneve dhe riparimin e kalldërmave dhe do të kërkojë shtesë 1 milion denarë të përfshijë për amendamentit e propozuar nga anëtarë të “Besës”, për shkak se dihen procedurat e parlamentit, ne jemi në rebalanc dhe ministri e përdori në shprehje se këtë rebalanc ne kemi bërë një lloj përshtatje”,- tha Rexhail Ismaili nga BDI.
Deputeti i Aleancës, Sureja Rushiti, tha se Çarshia e Vjetër është fytyra e vërtetë e Shkupit karshi fytyrës së rreme që deshi t’ia japë kryeqendrës projekti “Shkupi 2014”.
“Bëhet fjalë për një zhvillim jo të barabartë nga të dyja anët e lumit Vardar. Sa i përket Çarshisë së Vjetër, ajo është fytyra e vërtetë e Shkupit, Çarshia është zemra e këtij qyteti dhe identiteti i këtij qyteti, Çarshia është fytyra e vërtetë, identiteti i vërtetë. Nga ana tjetër, kemi një projekt që quhet “Shkupi 2014” dhe është fytyra fallco e këtij qyteti, projekt që ka pasur për qëllim të mbrojë identitetin kulturor arketoktonik dhe historik të këtij qyteti”,- u shpreh Sureja Rushiti nga “Aleanca Për Shqiptarët”.
Në kuadër të punimeve të komisionit amë, anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe një sërë amendamentesh të dorëzuara nga opozita maqedonase të cilat, sipas tyre, kanë për qëllim realizimin e projekteve në interes të qytetarëve.
Deputetët e VMRO-së thonë se 400 prej amendamenteve janë vlerësuar si nevoja të qytetarëve, rreth 300 janë kërkesa të marra nga LSDM-ja, nga vitet paraprake, ndërsa pjesa e mbetur janë projekte që i kanë pasur në programin e tyre.
Deputetët e LSDM-së thanë se për një pjesë të projekteve që i propozon VMRO-DPMNE do të ketë para me buxhetin e planifikuar për vitin 2018, ndërkohë që me këtë rebalanc të Buxhetit një gjë e tillë nuk është e mundur.
Në seancën e sotme të Komisionit për financa dhe buxhet u kërkuan edhe kushte më cilësore në rajonet ku jetojnë shqiptarët.
