Deputeti i PDSH-së: Ribalanci i buxhetit zi e më zi për shqiptarët nga Qeveria e Zaevit

Deputeti nga rradhët e PDSH-së Bardhyl Dauti në seancën e komisionit për buxhet dhe financa ka hedhur kritika në disa pika në aspektin makroekonomik, në komponentën e konsumit për mallra të importuara, lidhur me projekt balancin e buxhetit për këtë vit si dhe shpërndarja joproporcionale e fondeve mbi baza etnike sipas tij, transmeton Zhurnal.mk

“Nga aspekti makroekonomik, konsiderojmë që kemi defekt në rritje të eksportit neto dhe kontribut negativ të eksportit neto në Produktin e përgjithshëm bruto (PPB), për 0.7%, nga fakti që importi neto ka shënuar rritje me 10.7%, ndërsa eksporti neto ka shënuar rritje vetëm për 9%. Nqs shtojmë argumentin që eksporti është rritur kryesisht për produkte të ndërmjetme të industrisë automobolistike dhe produkteve kimike dhe jo për produktet finale që prodhohen në vend, kjo rritje e eksportit përveç se nuk kontribon pozitivisht në PPB, ajo gjithashtu nuk kontribon edhe në produktivitet ekonomik. Në anën tjetër, komponenta e konsumit rritet më shumë për mallra të importuara, kryesisht si rezultat i të ardhurava nga remitancat nga mërgata shqiptare dhe kreditimi i ekonomisë familjare. Rritja reale e konsumit privat për 2.7% dhe konsumit publik vetëm për 0.7%, respektivisht rritja e konsumit privat për 2 pikë përqindjesh më shumë se e atij publik, nuk vërteton gjë tjetër, veçse kapacitete të ulëta institucionale të vendit për të prodhuar të mira publike efiçente për mirëqenie më të mirë, si p.sh shëndetësi funksionale, arsim konkurues apo infrastrukture të mirëfilltë. Shumë lehtë mund ta marim me mend, se në cilët rajone të Maqedonisë mungojnë kapacitetet institucionale për përmirësim të jetës e mirëqenies publike të qytetarëve. Lirisht mund të gjykojmë se bisedohet për rajonet e banuara me shumicë shqiptare”, ka vlerësuar kështu në fjalimin e tij para deputetëve, Dauti.

“Projekt rebalansi i buxhetit për vitin 2017 pasqyron shpërndarje jo proporcionale të fondeve buxhetore mbi baza etnike. Ky çekuilibër etnik, në shpërndarje të fondeve buxhetore propozohet për miratim nga partitë shqiptare në qeveri, të udhehequr nga BDI. Në përgjithësi projekt rebalansi i buxhetit për vitin 2017 me shumë kompetencë mund të them që është në funksion të thellimit të hendekut të pabarazisë në zhvillim ekonomik ndërmjet dy popujve shumicë në Maqedoni, popullit shqiptar dhe atij Maqedon. Premtimet e qeverisë për rritje të investimeve produktive, për 1% të PPB-së, në zonat të prapambetura nga aspekti i zhvillimit ekonomik, që janë zonat e banuara me shumicë shqiptare, nuk pasqyrohen aspak në projekt rebalansin e buxhetit për vitin 2017. Pra, asgjë nga ky premtim. Populli shqiptar në Maqedoni ende ka vështirësi të qasjes institucionale në financat publike të shtetit. Akcesi institucional i taksapaguesve shqiptar në financat publike të shtetit nuk është i njëtrajtshëm me akcesin institucional të taksapaguesve maqedonas. Si PDSH kemi propozuar disa amandamente, që pasqyrojnë urgjencat ekonomike të shqiptarëve për përmirësim të standardit të jetesës. Kërkesat politike që pasqyrohen në amandamentet e propozuara nga PDSH, fatkeqësisht Ju ngjajnë kërkesave politike të kohës së Mesjetës, nga që gjendja ekonomike e shqiptarëve të Maqedonisë është thjeshtë si në kohë të Mesjetës dhe asesi më ndryshe dhe kjo kryesisht si rezultat i keq-qeverisjeve të kaluara të BDI-së, që fatkeqësisht po trashëgohet edhe në të tashmen e të ardhmen e qeverisjes së BDI-së.

Sipas deputetit Dauti, në shumë fshatra shqiptare mungon uji për pije, infrastruktura dhe kanalizimi ndërkohë që arsimi fillorë dhe sipërorë nuk është në nivel konkurues.

“S’ka kanalizime në 90% të fshatrave shqiptare, mungon uji për pije, mungon infrastruktura bazë për një jetë urbane, nxënësit shqiptarë mësojnë në shkolla të parenovuara. Arsimi fillor, i mesëm e ai sipëror i shqiptarëve të Maqedonisë nuk është në nivel të kualitetit konkurues. E sanksionuar në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare që udhëhiqet nga integristët, ishte arritja e barazisë ekonomike dhe mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal. Ky projekt rebalans nuk reflekton këtë pikë të deklaratës. Pra, asgjë edhe nga kjo pikë e deklaratës. Si duket edhe pikat e sferës ekonomike të deklaratës, për rritje të mirëqenies ekonmike të shqiptarëve, që u përcaktuan në platformë, do të kenë fatin e pikave politike të deklaratës. Premtim deklarues nga BDI dhe pushtetarët tjerë shqiptarë ishte edhe krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një komisioni shtetëror për financim të komunave shqiptare dhe shpërndarje më të drejtë të granteve qeveritare. Ndërsa me rebalans, në anën tjetër projektohet ulje e fondeve buxhetore për ministrinë e vetëqeverisjes lokale për 1.7%. Githashtu fondet buxhetore në kuadër të zërit buxhetor për zhvillim të barabartë rajonal, me rebalans projektohet të rriten me 0.0%. Pra, asgjë edhe nga kjo deklaratë. Asgjë për zhvillim të barabartë të rajoneve. Shqiptarët si gjithmonë ngelin të diskriminuar mbi bazë të premisës ekonomike. Ja disa argumente tjera diskriminuese. Në kuadër të komponentës së mbrojtjes sociale, benefitet nga papunësia shkurtohen për 11.6%. Asnjë program rritrajnimi e sistemimi në tregun e punës, që mund të jetë në funksion të zgjidhjes së problemeve të papunësisë afatgjate. Numri i të diplomuarëve që del nga universitetet shqiptare, ngel gjithmonë më i lartë se numri i të diplomuarëve që është pjesë e punëzënies në tregun e punës. Në kumulativ tregu i punës intelektuale tek shqiptarët mbivlerësohet me tepricë të ofertës për punë, respektivisht me kosto sociale e joperspektive, e rrjedhimisht me emigrim dhe ikje të trurit dhe rinisë shqiptare”, thekson mes tjerave në fjalimin e tij para kolegëve deputeti i PDSH-së.

Si PDSH sugjerojmë që politika e rritjes së pagës minimale, në aplikim, të shoqërohet edhe nga politikat për zgjidhje të problemeve të papunësisë afatgjatë, siç mund të jenë, aplikimi i programeve speciale për riaftësim të kandidatëve për punë dhe hapje të vendeve të reja të punës, sqaron mes tjerave Dauti në fjalimin e tij.

“Verrejmë që qeveria ka zgjedhur politikën e rritjes së pagës minimale si masë lehtësuese në funksion të zbutjes së varfërisë dhe rritjes së standardit të jetesës së të punësuarëve ektzistues. Si PDSH ne përshendësim këtë politikë për rritje të pagës minimile, mirëpo nuk mund të pajtohemi që kjo masë ekonomike zgjidh problemet e papunësisë afatgjate. Ekzistojnë mjaft evidenca empirike për shtetet në tranzicion të vonuar, siç është rasti i Maqedonisë, që sugjerojnë ndikimin negativ të rritjes së pagës minimale në zgjidhje të problemeve të papunësisë afatgjatë, edhe në kushte kur kjo page minimale, fillimisht, është e subvencionuar nga qeveria. Andaj, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë nga efektet pozitive të politikës së pagës minimale, siç janë: mbrotja e interesit të punëtorëve, rritja e standardit të jetesës së punëtorëve, rritja e kërkesës agregate mbi baze konsumi dhe ulja e informalitetit ekonomik, si PDSH sugjerojmë që politika e rritjes së pagës minimale, në aplikim, të shoqërohet edhe nga politikat për zgjidhje të problemeve të papunësisë afatgjatë, siç mund të jenë, aplikimi i programeve speciale për riaftësim të kandidatëve për punë dhe hapje të vendeve të reja të punës, që mund të jetë qoftë mbi bazë të investimeve të brendshme apo edhe investimeve të huaja. Zërat buxhetor në nivel ministrish gjithashtu nuk parashikohen të jenë propserues për shqiptarët e Maqedonisë. Në nivel të ministrisë së shëndetësisë, pavarësisht reklamave të mëdha të ministrit të shëndetësisë, me rebalans të buxhetit per vitin 2017, ndryshimi i fondeve buxhetore për spitalin klinik të Tetoves, spitalin e përgjithshëm të Kërçovës dhe çatinë e spitalit në Gostivar projektohet të jetë 0 denare. Asnjë rritje, asnjë ndryshim dhe rrjedhimisht asnjë përmirësim të kualitetit të jetës shëndetësore të shqiptarëve të Maqedonisë. Këto qendra spitalore ende do të shërbejnë si qendra tranziti për pacientët shqiptarë, drejt klinikës së Shkupit”, thotë kështu deputeti i PDSH-së.

Gjithashtu edhe shkurtimet e bllok-dotacioneve për financim të arsimit fillor e të mesëm, në mënyrë respektive për 13.56% dhe 23.62%, përbëjnë argumente shqetësuese shtesë që janë në funksion të arsimit jo-cilësor, ngre shqetësimin e tij para kolegëve deputet Bardhyl Dauti.

“Në nivel të ministrisë së arsimit, Universiteti i Tetovës edhe njëherë projektohet të mer 5 herë më pak fonde buxhetore se Universiteti UKIM. Me rebalans, fondet buxhetore për UT-në projektohet të rriten, por kjo rritje është vetëm margjinale, rreth 0.2%, dhe e parëndësishme, nga që nuk mund të ngërthejë interesin e Universitetit për zgjerim në plan akademik dhe infrastrukturor. Ndërsa për Universitetin e Nënë Terezës, që konsiderohej si Universiteti i perspektivës teknologjike, projektohet ulje e fondeve buxhetore prej 1.3%. Shtrohet pyetja, çfarë drejtimesh teknike e teknologjike mund të akreditohen e mirëmbahen me fonde buxhetore të zvogëluara, aq më shumë kur akreditimi e mirëmbajtja e funksionalitetit akademik të drejtimeve teknike e teknologjike është e shtrenjtë. Gjithashtu edhe shkurtimet e bllok-dotacioneve për financim të arsimit fillor e të mesëm, në mënyrë respektive për 13.56% dhe 23.62%, përbëjnë argumente shqetësuese shtesë që janë në funksion të arsimit jo-cilësor. Projektohet rritje e fondeve buxhetore në agjencionin për punësim për 15.5%. Urojmë që këto punësime të mbeshteten më shumë në argumentin e meritokraciës dhe jo në argumentin e politizimit. Mirëpo sinqerisht dyshojmë. Në vija të trasha konsiderojmë që ky rebalans i buxhetit është diskriminues për shqiptarët dhe shqiptarët do të vazhdojnë të vuajnë të këqijat ekonomike të shtetit, për sa kohë që politikbërja shqiptare udhëhiqet nga mungesa e fuqisë negociese në raport me partnerin e koalicionit. E kur BDI është bartës i këtij procesi, nuk kemi se çka të presim ndryshe, por vetëm joperspektive”, thotë në fund të fjalimit të tij deputeti Dauti./zhurnal.mk