Rrëfimi i Kadaresë: Shteti kishte gati arkivolin për mua, hetuesi është ende gjallë

Gjatë intervistës së dhënë dy ditë më parë për “Die Welt” shkrimtari Ismail Kadare rrëfeu episode të panjohura të kohës së diktaturës.

Ai foli për një dosje sekrete që synonte ta lidhte atë me një “grup komplotist”, anëtarët e të cilit u dënuan me vdekje. Sipas Kadaresë, regjimi e kishte gati arkivolin për shkrimtarin.

“Në këtë raport kërkohet të vërtetohet se shkrimtari me të cilin ju bisedoni sot, I.K., ka qenë pjesëmarrës i një grupi komplotist, që synonte rrëzimin e shtetit. Siç e shihni, nuk flitet për vogëlsira, por për gjëra “serioze”, nga ato që të çonin drejt e në pushkatim. Ju, po të keni kureshtje, mund ta gjeni lehtësisht atë raport. Është teksti i marrjes në pyetje të ministrit shqiptar të Shëndetësisë, Dr. Ziçishti, vdekur nën torturë në po atë vit. Në raport janë “hollësitë e komplotit”, bashkë me emrin e hetuesit, i cili është ende gjallë në Shqipëri, i patrazuar nga askush. I pyetur nga një gazetare e re shqiptare, hetuesi ka pranuar origjinalitetin e tekstit”, tha Kadare.

I pyetur se çfarë ka ndodhur më pas Kadare shton: “Puna është mbyllur me kaq. Ato “gojët e liga” që përmendët ju në këtë intervistë, (midis tyre ka edhe gazetarë të huaj), nuk treguan asnjë interes për këtë dokument, që tregon natyrën e raportit të shkrimtarit me shtetin diktatorial. Pas rënies së komunizmit, s’më ka shkuar mendja të mburrem se paskam qenë pjesëmarrës i komplotit kundër shtetit, sepse thjesht kjo s’ka qenë e vërtetë, por dosja sekrete është aty. Ajo tregon fare qartë se shteti e kishte gati arkivolin për shkrimtarin dhe nuk priste veç urdhrin për të. Gjë që kishte ndodhur në shumë raste të tjera”. /E.SH/