Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe homologia e saj Radmilla Sheqerinska gjatë vizitës në Tiranë ka vizituar batalionin e Forcave Speciale dhe atyre Komando në Zall-Herr. Ja si është pritur Sheqerinska.
Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli priti sot në një takim ministren e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, znj. Radmilla Shekerinska-Jankovska, në të parën vizitë zyrtare jashtë vendit të kësaj të fundit.
Në takimin me homologen e saj maqedonase, ministrja e Mbrojtjes, zonja Mimi Kodheli theksoi se marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve fqinje janë të një niveli të kënaqshëm, por ka gjithmonë potencial për më mirë sidomos në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Më tej ministrja Kodheli shtoi se shteti shqiptar vlerëson dhe nxit përpjekjet dhe punën e Maqedonisë për reformat në fushën e mbrojtjes dhe vlerëson përpjekjet e Maqedonisë për t’iu bashkuar Aleancës. Ministrja e Mbrojtjes ritheksoi edhe njëherë mbështetjen që vendi ynë i jep Maqedonisë në rrugën integruese drejt NATO.
Nga ana e saj ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, znj. Radmilla Shkerinska-Jankovska ka falënderuar ministren Kodheli për bashkëpunimin duke i vënë theks të veçantë përkrahjes që shteti shqiptar i ka dhënë atij maqedonas në procesin e anëtarësimit në NATO.
Më poshtë deklaratat e plota te ministreve Kodheli e Shekerinska-Jankovska pas takimit zyrtar:
Fjala e plotë e ministres së Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli:
Sot, kam kënaqësinë të pres në Tiranë, ministren e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, miken dhe kolegen time, zonjën Radmilla Shekerinska-Jankovska. Vizita e sotme vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet midis dy vendeve tona, pas takimit të dy kryeministrave tanë dhe vizitës së djeshme të Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë këtu në Shqipëri.
E falenderoj ministren që e pranoi ftesën time. Këto janë mundësi të mira që ne të dakortësojmë për të ardhmen e përbashkët mes dy vendeve tona. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me qeverinë e re Maqedonase për të trajtuar çështjen dhe sfidat me të cilat ballafaqohen për çdo ditë dy vendet tona, duke përfshirë nevojën për reforma dhe jo vetëm. Pas një periudhë krizash dhe situate jo të qëndrueshme është koha që të gjithë aktorët politikë të ndërtojnë momentin për të vazhduar proceset për të cilat ka nevojë një vend si Maqedonia të cilat duhet padyshim të fillojnë pa vonesë.
Marrëdhëniet tona dypalëshe në fusha të ndryshme janë të një niveli të kënaqshëm, por gjithmonë me potencial për më mirë, sidomos në fushën e sigurisë edhe të mbrojtes. Unë jam plotësisht e bindur se në udhëheqjen e koleges time të nderuar ky bashkëpunim do të zgjerohet edhe më tej, duke nxitur një marrëdhënie sa të shëndetshme aq dhe të begatë midis dy ministrive tona dhe midis Forcave tona të Armatosura.
Shqipëria beson fuqishëm se e ardhmja e vendeve të Ballkanit është integrimi euro-atlantik. Procesi i zgjerimit të NATO-s është një proces i pandalshëm dhe integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Aleancën e Atlantikut të Veriut, është e një rëndësie vitale për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë.
Vlerësojmë dhe nxisim në vazhdimësi përpjekjet dhe punën e Maqedonisë për reformat në fushën e mbrojtjes. Shqipëria, si një anëtare e NATO-s, ndjek nga afër përpjekjet e Maqedonisë për t’iu bashkuar Aleancën. Në mbështetjen që ne i japim plotësisht aspiratave euro-Atlantike të popullit maqedonas dhe përgjithësisht të vendit tuaj janë ato që ju dini por që do të vazhdojnë. Ne jemi këtu për të thënë që do të vazhdojmë të mbështesim Maqedoninë në rrugën e saj integruese drejt NATO-s.
Maqedonia është një partner shumë i rëndësishëm i Aleancës sonë. Kontributi i saj në operacionet e NATO-s është më shumë se evident dhe është një shenjë e qartë e partneritetit të veçantë që kemi. Ushtarakët tanë shërbejnë krah për krah në veri të Afganistanit, në Mazar- i-Sharif, si pjesë e njësisë të përbërë nga vende të rajonit tonë. Një ide kjo e hedhur nga ne disa kohë më parë. Shembuj të këtij bashkëpunimi, na e bëjnë punën më të lehtë por janë edhe domethënës. Unë besoj që nga ky takim kemi dal me projekte të reja, kemi dalë me angazhime të reja dhe dua thjeshtë dhe vetëm ta falënderoj edhe njëherë ministren për vizitën. Suksese në detyrën e saj të re, një punë të mbarë sepse i nevojitet edhe një fat i madh për të përballur të gjitha sfidat që sjell pozicioni dhe vlerësimi që ajo ka marr nga qeveria e re. Ju falënderoj edhe njëherë për vizitën.
Fjala e plotë e ministres së Mbrojtjes së Maqedonisë, znj. Radmilla Shekerinska-Jankovska:
E nderuar ministre Kodheli, të nderuar përfaqësues të mediave,
Është kënaqësi e veçantë të bëj vizitën time të parë zyrtare si ministre e Mbrojtjes në një vend mik si Shqipëria. Maqedonia vlerëson bashkëpunimin e saj të mbrojtjes me Shqipërinë, e cila ilustrohet nga fakti që ka ekzistuar që nga viti i largët 1998 dhe është zgjeruar çdo vit me aktivitete të reja të dobishme për të dy vendet. Edhe me nivelin aktual të bashkëpunimit gjithnjë ka hapësirë për promovim të mëtejshëm dhe në këtë kontekst kemi diskutuar disa fusha kyçe duke përfshirë bashkëpunimin në trajtimin e të gjitha llojeve të rreziqeve, bashkëpunim në rrugën kundër fundamentalizmit dhe trajtimin e çështjeve terroriste.
Faktet tregojnë që Maqedonia dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar dhe zbatuar projekte në shkallë të gjerë në mënyrë bilaterale dhe rajonale siç është karta e Adriatikut, të cilën e kemi nisur së bashku me Kroacinë në vitin 2003. Ndihma e ndërsjellët në kuadër të kësaj iniciative, qëllimi kryesor i të cilave ishte për të mundësuar vendeve tona që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në NATO sa më shpejt të jetë e mundur ka qenë e dukshme gjatë gjithë këtyre viteve.
Së bashku në periudhën 2005-2009, ne dërguam një ekip mjekësor të kombinuar në ISAP, në Afganistan në kuadër të misionit te NATO në atë kohë. Sot, përfaqësues të këtij ekipi janë angazhuar si mentor në shkollën e policisë ushtarake të ushtrisë kombëtare afgane. Suksesi që arritëm në përpjekje të përbashkëta si pjesë e këtij grupi ishte e dukshme kur Shqipëria ju bashkua NATO-s në vitin 2008, një gjë e cila nuk u bë realitet për Maqedoninë për shkaqe, të cilat dihen pavarësisht nga gatishmëria e saj e plotë.
Në këtë kontekst unë i shpreha mirënjohjen time koleges, ministres, Mimi Kodheli për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë që Maqedonia të bëhej pjesë e NATO. Maqedonia në NATO, do të sjellë një shtysë të re për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni, e cila ka qenë e rëndësishme në ruajtjen e sigurisë në gjithë kontinentin veçanërisht në lidhje me krizën e emigrantëve.
Maqedonia po investon përpjekje të konsiderueshme për të eliminuar të gjitha vërejtjet e bëra dhe shpresojmë se, qasja jonë e re do të shihet dhe vlerësohet nga partnerët tanë, për këtë ne kemi nevojë për një mbështetje të fortë nga miqtë tanë më të afërt siç është dhe Shqipëria. Edhe njëherë do të doja të shprehja mirënjohjen time për bisedat e shkëlqyera dhe jam e sigurt se udhëheqësit e dy vendeve tona dhe dy ministritë tona do të provojnë si shumë herë më parë se inkurajimi i vlerave evropiane dhe një qasje e sinqertë mes fqinjëve, janë drejtimi i duhur për të shtruar rrugën drejt të ardhmes për qytetarët tanë.
