« Ekspertët » Arratisja e Grujevskit e Boshkovskit mund të jenë ndihmuar nga kolegët (VIDEO)

Në planin për arratisjen e Goran Grujevskit dhe Nikola Boshkovskit ka mundësi të jenë të përfshirë persona operativ të policisë sekrete, shprehet ish shefi i kontrollit të brendshëm në MPB, Voislav Zafirovski. Sipas tij, Grujevski edhe më tej konsiderohet si person shumë i fuqishëm në polici dhe nuk është për t’u habitur nëse merr logjistikë nga kolegët të cilët e kishin atë shef në Drejtorinë e Pestë. Për Zafirovskin, vendosja e drejtorit të ri në DSK nuk garanton se nuk do të ketë ndihmë për dy të akuzuarit për përgjim ilegal. Zafirovski shpjhegon se pikërisht në Drejtorinë e Pestë me të cilën udhëhiqte Grujevski ka të punësuar kuadro që janë besnik ndaj tij dhe VMRO-DPMNE- së.

“Instalime, lidhjet, pozicionet e Grujevskit dhe bashkëpunëtorit të tij ende janë aktuale. Ata mund të ndihmojnë dhe të ofrojnë logjistikë përkatëse. Nga ana tjetër, jemi dëshmitarë se e tërë partia, të paktën krerët e partisë të VMRO-DPMNE- së qëndrojnë prapa tyre, kështu që logjistikë mund të pritet edhe prej tyre. Personalisht konsideroj se ende janë në vend”, tha Voislav Zafirovski, ish shef i sektorit për kontroll të brendshëm në MPB.

Ish gjykatësi Valentin Zafirov konsideron se duhet të vërtetohet përgjegjësia tek të gjithë gjykatësit që morën vendim për paraburgimin e Grujevskit dhe Boshkovskit.

“Pra, dhjetë ditë lejuan që ata të arratisen, ta organizojnë atë, jo vetëm arratisjen, por edhe rrugën deri tek arratisja, destinacionin ku do të jenë si dhe lëshimin e mjeteve, pasi është e qartë se janë shumë të pasur që ta sigurojnë jetën. Kur ne shqiptonim paraburgim, para se ta dorëzojmë vendimin, që mos të ikë i akuzuari, thërrisnim policinë për të asistuar gjatë dërgimit të tyre në paraburgim”, theksoi Zafirov.

Goran Grujevski ishte drejtor i Drejtorisë së Pestë në MPB vite me radhë dhe ishte nën komandën e drejtpërdrejtë nga ish shefi i policisë sekrete, Sasho Mijalkov. Sipas aktakuzave të Prokurorisë Speciale, ata janë përgjegjës për përgjimin ilegal, por edhe për shkatërrimin e një pjese të pajisjeve për regjistrimin e bisedave telefonike. Specialja të njëjtit i ndjek në rastet Fortesa dhe Target. Grujevski dhe Boshkovski gjenden në arrati pasi u konfirmua paraburgimi ndërsa Sasho Mijalkjov mbeti pa pasaportën e tij.