Ahengu i pakontrolluar gati e “kalli” Përshefcën, digjet shtalla me lopë (FOTO)

Një shtallë e djegur krejtësisht, makineri e djegur bujqësore, 4 lopë të djegura për së gjalli, dy të lënduara dhe një zjarrfikës ka përfunduar në spital. Këto janë pasojat e fishekzjarrëve të pakontrolluara nga një aheng familjar që shkaktuan zjarr të madh në fshatin Përshevcë mbrëmë pas mesnate, e që zjarrfikësve u janë dashur katër orë të plota për të normalizuar situatën. Intervenimi i zjarrfikësve ka shpëtuar në çastet e fundit shtëpitë të cilat kanë qenë afër shtallës, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në gjithë fshatin. Numri një i brigadës së zjarrfikësve në Tetovë, Uka Aliti, ka apeluar tek qytetarët që të jenë më të kujdesshëm me ahengjet familjare dhe mospërdorjen e mjeteve piroteknike.
“Katër orë luftuam me një zjarr që shpërtheu në fsh.Përshevc. Zjarri kaploi një fermë bagëtie, intervenuam me 6 automjete kundër zjarrit dhe 12 zjarrfikës për fat të keq 4 lopë digjen ndërsa 2 shpëtohen te lënduar. Ka një zjarrëfikes ku edhe të njëjtit i jepet ndihma e parë në spitalin e Tetovës dhe është jashtë rrezikut për jetë. Dëmi është shumë i madh material shkaku paraqitjes zjarrit vjen nga mjetet piroteknike që përdoren gjatë ahengjeve por pa kontroll..Apelojmë në mos përdorjen e këtyre mjeteve “, deklaroi për Shenja, Uka Aliti.