Ka disa ditë që në disa media të Maqedonisë qarkullon informata se kryeministri shqiptar Edi Rama do të angazhojë ministra nga Kosova dhe Maqedonia në kabinetin e tij.
Redaksia e Portalb.mk tentoi të kontaktojë me kryeministrinë shqiptare për ta konfirmuar apo mohuar këtë informatë, që mos të spekulohet më tej, por pa sukses. Zëdhënësi i Kryeministrisë dhe Kabineti i Edi Ramës mbeten të shurdhur tri ditë në pyetjen tonë. Mos përgjigja në një pyetje të thjesht, por me rëndësi për lexuesit tanë tregon jo-transparencë dhe neglizhencë ndaj publikut shqiptar në Maqedoni.
I kontaktuar në të gjitha kontaktet elektronike si dhe përmes profileve në rrjetet sociale, zëdhënësi Endri Fuga mbetet i pakapshëm për koment.
Madje, as ambasada shqiptare në Shkup nuk e pa të arsyeshme ta përcjellë kërkesën tonë në kryeministri.
Qasja selektive ndaj mediave, mos dhënia e informatave dhe mos përgjigja në kohë në pyetje të thjeshta janë tregues të qartë se përkushtimi për transparencë në qeverinë e Ramës është tejet i dobët ndërsa fjalët e mëdha për transparencën janë boshe.
