Majk flet për herë të parë për të birin: ‘Falenderoj Zotin për të!’

Rreth dy muaj më parë, reperi i famshëm Majk dhe ish e dashura e tij Majlinda Zeka u bënë prindër për herë të parë pasi erdhi në jetë djali i tyre i quajtur Roan. Por teksa gjatë shtatzënisë heshtja e Majk-ut i bëri të gjithë të dyshonin në lidhje me qëndrimin që ai do të mbante me të birin, reperi që prej lindjes së tij ka dëshmuar se çmendet pas të birit. Një gjë të tillë ai e ka konfirmuar edhe në një intervistë për emisionin “Prive”, ku për herë të parë ka folur publikisht për ndjesinë e të qenit baba.

“S’më dilet më me shokët! Dua t’ja kushtoj të gjithë kohën që kam djalit dhe deri tani po kënaqem shumë me të. Ndihem i bekuar dhe falenderoj Zotin që e ka sjellë në jetë një fëmijë të shëndoshë si ai.”- u rrëfye i emocionuar Majk, duke shtuar se vogëlushi i ka sjellë lumturi pafund në jetë.

“Ai gjysmën e kohës fle dhe kur çohet fillon të qeshë. S’di, është ndjenjë e papërshkrueshme. Është fëmijë i urtë, nuk e kam dëgjuar asnjëherë duke qarë, di vetëm të llastohet.”-tregoi reperi 27-vjeçar. Sakaq ai nuk zbuloi asgjë në lidhje me marrëdhënien me nënën e Roanit, Majlindën. Vetëm pak kohë më parë, dyshja u fotografua duke bërë pazar për mobilje, gjë që shtoi dyshimet se ata mund të jenë duke u përgatitur që të jetojnë së bashku.