Dy shkupjanë i marin kosovarit 8.000 euro, për një dokument falso të presidentit Ivanov

Policia e Shkupit ka ngritur padi penale ndaj shkupjanëve me iniciale А.Т. (37) dhe Z.P.. (46), të dy nga Shkupi, për shkak të kryerjes së veprës “mashtrim”. Sipas policisë, në periudhën nga maji i vitit 2014 deri në mars të vitit 2015, me prezantim të rrejshëm të fakteve e kanë mashtruar një person nga Kosova, duke e gënjyer se përmes miqve të tyre, do të sigurojnë falje nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë, për nj familjar të kosovarit, i cili ka qenë i dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor, shkruan Gazeta Lajm.

Ata kanë premtuar se familjari i tij, i dënuar me burg në Maqedoni, do të lirohet nëse u jep 8.000 euro. Paratë nuk i kanë marrë menjëherë, por në disa raste. Më pas, i pandehuri Z.P. nga Shkupi ia ka dorëzuar shtetasit kosovar një dokument të falsifikuar –Vendim për falje, i verifikuar nga Presidenti i shtetit.