Levizja e re - Grupi anti-Basha bën gati pr/statutin e ri: Humbësi i zgjedhjeve dorëhiqet

Grupi Anti Basha deklaron se do të vijojë të punojë si një lëvizje e strukturuar brenda partisë me një platformë të qartë politike dhe në muajin shtator do të parqesin një projekt-statut të ri për t’u vendosur më pas nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Demokratike jo më vonë se fundi i vjeshtës së këtij viti.

Projekt statuti i ri i cili përmban 11 pika do të ndalojë çdo marrëveshjeje për bashkëqeverisje si ato Rama- Basha bërë më 18 maj, pa marrë më parë vendimmarrjen e organit më të lartë të partisë, Kuvendit Kombëtar.

Dhe në rast se Partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare më tepër se herën parardhëse, kryetari i saj të japë dorëheqje të parevokueshme.

“Ne duhet të kthehemi në forcën kryesore opozitare në vend dhe të ringjallim shpresën e humbur tek shqiptarët ashtu siç kemi bërë 27 vite më parë. Humbja e mbi 230.000 votuesve tanë kërkon një analizë të thellë dhe serioze që duhet të kalojë nga forumet tona të ngritura me kaq mund ndër vite. Këto forume duhet të mblidhen dhe të nisin në çdo degë të partisë anembanë vendit analizën e humbjes dhe rikthimin e besimit tek votuesit tanë e më tej.

Për këtë ne do të punojmë si një lëvizje e strukturuar brenda partisë me një platformë të qartë politike dhe në muajin shtator do të paraqesim një projekt-statut të ri për t’u vendosur më pas nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Demokratike jo më vonë se fundi i vjeshtës së këtij viti” thuhet në deklaratën për shtyp.

Projekt statutit i ri do të duhet të përmbajë:

a) Rregulloren, procedurën, kriteret dhe standartet për zgjedhjen e kryetarit të PDSH.

b) Rregulla të qarta mbi sistemin e karrierës dhe meritës në të gjitha nivelet e organizimit dhe hierarkisë së Partisë.

c) Përcaktimin e procedurës, kritereve e modaliteteve në miratimin e kandidaturave për deputetë dhe kandidaturave të tjera elektorale nga organet vendimmarrëse kolegjiale të partisë dhe shqyrtimin e propozimin e tyre nga anëtarësia.

d) Ndalimin e çdo marrëveshjeje për bashkëqeverisje me kundërshtarin politik pa vendimmarrjen e organit më të lartë të partisë, Kuvendit Kombëtar.

e) Krijimin e gjykatës së partisë me përbërje edhe të figurave historike të partisë, për kontrollin formal të vendimarrjes së organeve të të gjitha niveleve të Partisë.

f) Këshillin e të Urtëve të Partisë Demokratike, i cili duhet të jetë një organ i përhershëm këshillimor dhe me autoritet moral i PDSH-së, i përbërë nga personalitete të Partisë Demokratike ndër vite.

g) Këshilli Kombëtar duhet të zgjedhë mes anëtarëve të tij kryetarin e Këshillit Kombëtar, me kompetenca për thirrjen dhe drejtimin e Këshillit Kombëtar.

gj) Përcaktimin e detyrimit statutor për mbledhjen e Këshillit Kombëtar rregullisht dhe periodikisht.

h) Në rast të humbjes së zgjedhjeve parlamentare kryetari i PD-së të japë dorëheqjen e menjëherëshme;

i) Në rast të humbjes së dy palëve zgjedhjeve, kryetari i Partisë Demokratike të japë dorëheqje të parevokueshme.

j) Në rast se Partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare më tepër se herën parardhëse, kryetari i saj të japë dorëheqje të parevokueshme.

Pas paraqitjes së projekt propozimit për statutin e ri të Partisë, do të duhet të ngrihet menjëherë një komision i posaçëm për përgatitjen e projektit final të Statutit të ri. Ky statut do të duhet të diskutohet më pas në një Kuvend të Jashtëzakonshëm të Partisë.

/Oranews.tv/