Në Rusi është mbajtur festivali muzikor i quajtur “Evropa Plus”, në të cilin kanë performuar yjet botërore të muzikës.
Në mesin e tyre, kanë marrë pjesë edhe yjet e njohura shqiptare si Dua Lipa, Bebe Rexha e Arilena Ara, të cilat kanë bërë performanca të shkëlqyera.
Bebe Rexha ka bërë publikun rus të qajë me performancën e saj në këtë festival, ndërsa Dua Lipa, përveç performancës së shkëlqyer, është shpërblyer edhe me një “pllakë ari” nga organizatorët, raporton Koha.net. Po ashtu, gjatë performancës së Lipës, në publik është parë se ka pasur edhe fansat kosovarë, sepse dikush nga ta ka ngritur flamurin e Republikës së Kosovës. Kjo është hera e dytë që flamuri i Kosovës ngrihet në Rusi.
Gjithashtu, edhe këngëtarja nga Shqipëria, Arilena Ara, ka bërë një performancë të shkëlqyer në “Evropa Plus”.
Ajo me performancën e saj ka bërë që publiku rus të ndizet, e sidomos kur ka kënduar shqip.
Ara ka kënduar këngën e saj në shqip “Nëntori (Bess Remix)”. Ajo me këtë këngë ka marrë pjesë në “Këngën Magjike” dhe nuk ka fituar, por është bërë shumë e famshme pasi që ka qenë e para në toplistat e mbi 35 vendeve të Evropës.
Për më tepër, shikoni performancën e Arilena Arës në “Evropa Plus” në videon më poshtë.
