Të enjten, më 3 gusht është caktuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Në atë mbledhje do të bëhet zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, nënkryetarëve dhe do të bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve.
Analisti Ramush Tahiri ka thënë se koalicionit PAN, i cili mori më së shumti vota në zgjedhjet e 11 qershorit, i takon e drejta kushtetuese dhe ligjore që të bëjë propozimin e kandidatit për kryetar Kuvendi.
Tashmë edhe zyrtarisht nga PAN kanë bërë të ditur se kandidat do të jetë Kadri Veseli, i cili kishte mbajtur të njëjtin post edhe legjislaturën e kaluar. Ndërsa, nëse ai do të votohet a jo, varet nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës.
Dy këndet tjera politike, Vetëvendosje e koalicioni LAA kanë shprehur qëndrimet e tyre të qarta se nuk do ta votojnë Veselin për postin e të parit të Kuvendit.
“Nuk besoj se PAN e tërheq kandidaturën e Kadri Veselit, ndonëse LDK e Vetëvendosje kanë thënë publikisht se nuk do ta votojnë atë. Nëse kjo është arsye që vendi të shkojë në zgjedhje, atëherë mundet edhe me shku, nëse nuk konstituohet mbledhja e Kuvendit në afat të caktuar”, ka thënë Tahiri për Periskopin.
Në anën tjetër, i bindur se Veseli nuk do t’i arrijë votat për tu bërë kryeparlamentar edhe për një mandat shprehet analisti Imer Mushkolaj, i cili duke folur, u shpreh skeptik se një gjë e tillë mund të ndodhë.
“Kadri Veseli nuk i ka votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryeparlamentar. Unë jam skeptik se mund të ndodh një gjë e tillë. Pavarësisht deklaratave se numrat e mjaftueshëm ekzistojnë, është e vështirë që dikush nga rivalët politikë të PAN-it do ta votojë atë dhe qeverinë”, tha Mushkolaj.
Mushkolaj thotë se në një situatë të tillë, PAN’it i mbetet ta ndërrojë kandidatin. Por, një gjë e tillë vështirë se do të ndodhë sipas analistit Ramush Tahiri, i cili nuk beson se PAN do ta tërheq kandidaturën e Kadri Veselit.
Sipas tij, ashtu siç LAA e Vetëvendosje kanë drejtë të kundërshtojnë kandidaturën e Veselit, edhe PAN ka të drejtë që të mos heq dorë nga Veseli dhe në seancën e 3 gushtit ta qes në propozim për kryeparlamentar.
Mushkolaj beson se i gjithë ky proces mund të zvarritet me qëllim për të provokuar zgjedhje të reja.
E mundësinë e zgjedhjeve nuk e përjashton as Tahiri.
Ai tha se vendi mund të shkojë në zgjedhje nëse mbledhja e Kuvendit nuk konstituohet në afat të caktuar.
Sipas tij, ka gjasa që mbledhja e 3 gushtit të shtyhet për javën tjetër, nëse deputetët nuk arrijnë t’i zgjedhin kryetarit e Kuvendit dhe nënkryetarët.
E sipas Mushkolajt, procedurat do të zvarriten meqë PAN nuk do të arrijë të sigurojë votat për kryetar Kuvendi, e rrjedhimisht për formim të Qeverisë.
