Me anë të disa grafiteve, që janë shkruar brenda Kampusit të Universitetit të Prishtinës, në muret e Fakultetit Filologjik, publikisht janë kërcënuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kryetari i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava.
Këto grafite janë shkruar nga persona të panjohur pas paralajmërimeve për ndërtimin e xhamisë në qendër të Prishtinës.
Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës deklaroi se kanë nisur tashmë një hetim lidhur me rastin.
“Aktualisht në bashkëpunim më Prokurorinë, Policia po trajton dhe po punon për sqarimin e të gjitha rrethanave që e karakterizojnë këtë situatë. Këtu kemi të bëjmë me disa grafite, të cilat konsistojnë në kanosjen e personave zyrtarë. Policia ka intervistuar disa dëshmitarë të mundshëm, dhe në të njëjtën kohë është duke kërkuar edhe për dëshmitarë të tjerë që do të mund të kontribuonin në identifikimin e personave të cilët mund të jenë të përfshirë në ketë rast”, tha Borovci.
Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar lidhur me këto grafite duke i dënuar dhe cilësuar si të papranueshme. (INA)
