“Zbulohet” arsyeja përse Rama nuk ishte në foto me Pence

Mungesa e kryeministrit Edi Rama në foton e fundit të samitit të Kartës së Adriatikut në Podgoricë u trumpetua shumë në median vendase por edhe të rajonit me argumentin se kreu i qeverisë shqiptare ishte përjashtuar për shkak të atleteve të bardha që mbante veshur.

Mediat e rajonit iu referuan një postimi të ish-kryeministrit Berisha për të përforcuar argumentin e tyre duke e marrë të mirëqenë si fakt.

Ndërkohë sot, mjeshtrat e PR të Ramës janë kujdesur që të “rrjedhin” në media një arsyetim sipas të cilit Rama nuk ishte i pranishëm në atë foto për shkak se në orën kur ajo është shkrepur atij i duhej të udhëtonte për në Shqipëri.

“Kryeminstri Edi Rama udhëtoi për në Podgoricë me helikopter. Aeroporti i Podgoricës ishte i mbyllur për arsye sigurie të fluturimit të Mike Pence dhe rihapej në orën 19 .00 pasi të nisej zv presidenti amerikan. Helikopterët tanë nuk udhetojnë natën, ndaj e vetmi korridor ajror që delegacioni të nisej ishte ora 16.00. Sipas planit fillestar, në këtë orar duhet të kishin mbaruar të gjitha aktivitetet e samitit, përfshirë dhe fotoja familjare. Por samiti filloi me vonesë e gjithcka u shty, edhe foto familjare”., - është pohimi i nxjerrë nga zyra e PR e kryeministrit.