Policia e Fierit ka arrestuar në flagrancë tre shoferë, pasi drejtonin makinën në gjendje të dehur. Ata kanë shkaktuar aksident dhe më pas i kanë ikur policisë.
Nga të dhënat zyrtare bëhet e ditur se në pranga ka rënë shtetasi Arjan Myftaraj, banues në Patos. “Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në aksin rrugor Fier-Patos, duke drejtuar mjetin tip “Benz” me targa “AA 475 HS” ka lëvizur në sens të kundërt e nuk u është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar. Pas ndalimit nga policia dhe pas testit të alkoolit, ky shtetas rezultoi në gjendje të dehur”, thuhet në njoftimin për media nga ana e policisë.
Gjithashtu është arrestuar edhe 44-vjeçari Enton Lika, banues në lagjen “Isa Boletini”, Vlorë, i cili në aksin rrugor Fier-Vlorë, duke drejtuar mjetin tip “Fiat” me targa “AA 449 CR” është përplasur me mjetin tip “Ford” me targa “AA 735 FN” dhe me pas është larguar nga vendi i aksidentit.
Nga përplasja ka pasur vetëm dëme materiale dhe nga testi i alkoolit ky shtetas rezultoi në gjendje të dehur.
Bëhet e ditur se policia ka vënë në pranga 30-vjeçarin Fabion Hodo, banues në lagjen “Naftëtari” Patos, i cili është kapur në aksin rrugor Levan-Fier, në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Mitsubishi” me targa “AA 955 FS”.
