KSHZ publikon afatet e zgjedhjeve lokale (VIDEO)

Me 9 vota për dhe asnjë kundër, KSHZ miratoi kalendarin për realizimin e zgjedhjeve lokale 2017 për kryetarë të komunave, kryetarë të qytetit të Shkupit dhe këshilltarë komunalë dhe të qytetit të Shkupit, të cilat do të mbahen më 15 tetor. Datat kyçe sipas KSHZ-së janë 6 gushti kur u nënshkruan zgjedhjet dhe 15 tetori dita kur të njëjtat do të mbahen.
Veprimet e para të cilat KSHZ do t’i merr gjatë ditës së sotme janë dorëzimi i kërkesave për marrje të informatave për krijim të listës zgjedhore deri tek Ministria e Punëve të Brendshme dhe tek Ministria për informatikë dhe administratë.

“Lista zgjedhore do të vendoset në inspektim publik më 21 gusht 2017, dhe i njejti do të zgjasë deri më 9 shtator. Qytetarët e Maqedonisë do të kenë mundësi të bëjnë inspektim të të dhënave që ndodhen në listën zgjedhore. Afati për mbledhje të nënshkrimeve para KSHZ-së, për propozim të listave të kandidatëve do të fillojë gjithashtu nga 21 gushti dhe afati për mbledhje të nënshkrimeve do të përfundojë më 4 shtator 2017. Listat e kandidatëve dorëzohen tek komisionet komunale zgjedhore më së voni 35 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve ose më së voni deri më 9 shtator”, ka deklaruar Aleksandër Çiçakovski, kryetar i KSHZ-së.
Mediat detyrohen që më së voni deri më 11 gusht, të dorëzojnë tek Komisioni shtetëror i zgjedhjeve çmimoret për programin e paguar politik. Ndërkaq fushata zgjedhore fillon më 25 shtator.

“Shortin për përcaktimin e Listës së vetme të kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë, KSHZ do ta kryen më së voni deri më 18 shtator. Fushata Zgjedhore fillon më 25 shtator dhe e njejta për rrethin e parë përfundon më 13 tetor 2017 në orën 24. Fushata zgjedhore për rrethin e dytë përfundon më 27 tetor 2017 në orën 24. “, ka thënë më tej ai.
Nga KSHZ kanë informuar paraprakisht se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve nga ana e kuvendit është dorëzuar dje në KSHZ dhe vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve tanimë është shpallur në gazetën zyrtare.
Ajnur Bafqari