Prokurorët në Korenë e Jugut kanë rekomanduar një dënim prej 12 vitesh për miliarderin e Samsung-it mbi rolin e tij në një skandal korrupsioni në shkallë vendi. Ai është akuzuar për përvetësim dhe dhënien e ryshfetit ish-Presidentit Park Guen-hye.
Në dëgjimin përfundimtar në gjyqin e ditës së hënë, ku si i akuzuar ishte zëvendës-kryetari i kompanisë teknologjike të Samsung-ut, Lee Jae-yong, prokurorët rekomanduan një dënim 12-vjeçar për rolin e tij të dyshuar në një skandal korrupsioni me ish-Presidentin e Koresë Jugore, raportoi “Deutsche Welle”, transmeton Periskopi. Prokurorët e quajtën atë “përfituesin kryesor” të fitimeve të përfshirë në këtë skandal.
Jae-yong 49-vjeçar Samsung ka qenë në paraburgim që nga shkurti i këtij viti dhe është akuzuar për përfshirjen e tij në marrjen e ryshfetit dhe përvetësim. Së bashku me katër drejtues të tjerë, ai është akuzuar për ofrimin e 38 milionë dollarëve (32.2 milion euro) ndaj një miku të ngushtë të Presidentit të atëhershëm, Park Guen-hye. “Të pandehurit ishin të lidhur ngushtë me pushtetin dhe kërkonin përfitime personale”, thanë prokurorët.
Akuzat mund të sjellin të paktën një dënim pesëvjeçar, nëse Lee shpallet fajtor. Gjykata pritet të vendosë mbi këtë rast në këtë muaj. Por, Lee i ka mohuar të gjitha akuzat që iu kanë lexuar nga Gjykata. Lee ka qenë në krye të grupit Samsung, një perandori e madhe biznesi i cili është gjithashtu krijuesi më i madh i smartfonëve në botë, pasi babai i tij pësoi një sulm në zemër në vitin 2014.
