Në Slloveni dalin në treg birrat “Tito”, “Josip” dhe “Jovanka” (FOTO)

Prodhuesi i kësaj birra është kompania “Komunajzer”, term i cili nga sllovenishtja në shqip i bie “komunist i vjetër”

Një birrari e vogël nga Novo Mesto (Vendi i Ri), në Slloveni, këto ditë ka fituar reklamë pa pagesë kur në Facebook u shfaq një fotografi nga një dyqan në Lubjanë në raftet e së cilit shihej birra e tyre “Tito” dhe përkrah saj birra tjetër me emrin “Josip” dhe “Jovanka”. Dhe ndaj këtij veprimi menjëherë ka nisur debati nëse në Slloveni lejohet që të komercializohet në këtë mënyrë emri i një lideri të ish-sistemit totalitar, raporton mediumi serb “N1”. Rrjeti i marketeve Lidl, duke komentuar kritikat se me veprimin e tyre kanë kënaqur jugo-nostalgjikët, ka thënë se asnjëherë nuk kanë dashur që të ngjallin emocione politike në mesin e konsumatorëve të tyre, përkatësisht nuk dëshirojnë “politikë në dyqanet” e tyre ku blejnë edhe të majtët edhe të djathtët. Birrat në fjalë prodhohen nga mikro-birrari familjare. E tëra ka nisur në fillim të gushtit, kur edhe kremtohet dita e birrës në Slloveni. Prodhuesi i kësaj birra është kompania “Komunajzer”, term i cili nga sllovenishtja në shqip i bie “komunist i vjetër”. Kujtojmë se me vendim të një gjykate në vitin 2011, në Slloveni më nuk lejohen emra të rrugëve apo tregjeve me ish-presidentin e Jugosllavisë, ndërsa komunat apo qytetet të cilat kanë pasur rrugë apo tregje të emërtuar me emrin e Josip Broz Titos mund të vendosin t’i mbajnë apo t’i ndryshojnë.