Njëri nga tregjet kryesore të Shkupit, ai i Bit Pazarit, vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme. Me temperaturat që tejkalojnë 40 dragë Celsius, vapa brenda në treg bëhet pothuajse e padurueshme.
Përderisa ky treg vazhdon të jetë në gjendje të njejtë për vite me radhë, pa u bërë asnjë ndryshim real, shitësit brenda tij detyrohen të punojnë në po atë ambient pa kushte elementare, pasi ky është vendi i vetëm për ta ku mund t’i sigurojnë të ardhurat financiare për mbijetesë.
Kulmet metalike që tregtarëve ju qëndrojnë mbi kokë janë pothuajse tërësisht të shkatërruara, duke i detyruar shitësit qëtë improvizojnë me çati të bëra kartoni. I nxehti jo vetëm që u shton vështirësitë shitësve, por edhe shkakton harxhime shtesë, pasi shpejtë u dëmtohen produktet. Produktet e dëmtuara nga i nxheti ju përfundojnë si mbeturina për tokë, pasi në treg mungon hapësira adekuate ku do të kishin mundësi t’i hidhnin ato. Edhe pse ata rregullisht paguajnë qira për vendin ku punojnë, vazhdojnë të veprojnë në kushte të rënda. Shitësit e revoltuar ankohen për mungesën e gjërave elementare, ata thonë se me vite kërkojnë zgjidhje të problemit nga institucionet përkatëse, por thonë se në këmbim marrin vetëm premtime dhe fjalë boshe.
“Nxehti dihet, 80 e kemi këtu temperaturën brenda se jo 50. Kushtet po I shihni vet, qe 50 vite na premtojnë që do të rregullohet tregu por nuk ka asgjë. Jemi anku disa herë kanë thënë që do të bëhet por nuk na marin parasysh.”, deklaroi një shitës.
“Gjendja është shumë kritike, shumë problematike, tash shihet edhe vet, tregu nuk ka as kushte elementare por nuk kemi çka të bëjmë, askush nuk merr masa për ne. Në verë produktet më së shumti dëmtohen. Projektet fliten prej viteve të 90-ta, çdo lloj projekti flitet por nuk realizohet.”, tha një shitës tjetër.
Shitësit thonë se kushtet e vështira gradualisht u shkaktojnë probleme në shëndet, ndërsa thonë se shumë të cilën e paguajnë si qira, është tejet e lartë në krahasim me kushtet për të cilat thonë se janë katastrofale.
“Me vite që punojmë këtu paguajmë 4000 e më shumë denarë, kjo është shumë, ndërsa kushtet janë katastrofale nuk janë as për bukë as për asgjë , produktet dëmtohen, ne verë nxehtë në dimër ftohtë, edhe ato që ishin në qeveri, edhe këto thonë se kinse do të rregullohet , por kur ? Ne qëndruam këtu dhe e humbëm shëndetin”, tha një shitës tjetër.
“Shumë është vapë, këtu nuk ka kushte, ja shihet vendi nuk është i izoluar.Kur koha është e ngrohtë këtu bëhet akoma më vapë ndërsa kur bie shi, shiu depërton brenda. Edhe përtokë është njejtë, as nuk është rregulluar, as nuk është bërë asgjë, plot mbeturina , çfarë të them.”deklaroi një shitës.
Gjatë stinës së verës, shitësi thonë se problem i veçantë është papastërtia, pasi kundërmon erë e keqe. Televizioni SHENJA tentoi të kontaktojë me organet përgjegjëse, përkatësisht me përfaqësuesit e ndërmarrjes ‘Skopsi Pazar’, dhe atyre të Komunës së Çairit, mirëpo askush nuk u përgjigjej thirrjeve.
Medina Ajeti
