Nga Lëvizja BESA thonë se ditëve në vijim do të shpallin publikisht emrat e kandidatëve për kryetar komunash. “Ditët në vijim do ta bëjmë shpalljen e kandidatëve. Janë një prej zgjedhjeve më të rëndësishme për ne.
Po mundohemi të bëjmë të gjitha përgatitjet si në aspekt të kandidaturave, listave për këshilltar komunal, përgatitjen e projekteve të rëndësishme që të dalim me një program të pasur. Lëvizja Besa është në konsultim me të gjithë strukturat e saj, këshillat vendor dhe lokal gjithandej Maqedonisë për emra të mundshëm për kryetar komunash.
Deri tani nuk kemi ndonjë emër konkret, por opinioni do të jetë i njoftuar me kohë edhe për kandidatin e mundshëm por edhe me ekspertët të cilët do ti qëndrojnë prapa kryetarit të komunës gjatë asaj fushate”, tha për gazetën KOHA Faton Fazliu, zëdhënës i Lëvizjes BESA. Megjithatë, gazeta KOHA nga një pjesë e burimeve tjera të afërta me Lëvizjen BESA merr vesh se nënkryetari i kësaj partie, Arben Llabunishti do të jetë kandidat për Komunën Strugës, deputeti Fadil Zendeli për Komunën e Gostivarit, Shaban Zendeli apo Murtezan Idrizi për Komunën e Likovës, Kastriot Rexhepi dhe Bekim Saliu për Komunën e Çairit.
Ndryshe, Lëvizja BESA pritet ta sfidojë seriozisht BDI-në në Likovë, Çair, Vrapçishtë, Saraj, Tearcë, Tetovë dhe Strugë. Për të sfiduar seriozisht BDI-në, në Lëvizjen BESA thonë se momentalisht po bëhen konsultime intensive sidomos për komunat e lartpërmendura që të korrin fitore të sigurt, ndërsa nuk përjashtojmë edhe emrat jashtë strukturave partiake.(koha.mk)
