Shqipja, Akademia kundër Akademisë!

Reagimi i këtij institucioni ka ardhur pas kërkesës së bërë nga akademikët shqiptarë dhe si një përgjigje ndaj “rebelimit” të një pjese të akademikëve që janë shprehur kundër avancimit të gjuhës shqipe që, siç thonë ata, “rrezikon atë maqedonase”. Është pikërisht ky krah që prej gati tre vitesh po kundërshton edhe formimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike në kuadër të ASHAM-it, me kusht riformulimin e saj si Qendër e Studimeve Ballkansitike, projekt ky që është insistuar të realizohet që pas skandalit me Enciklopedinë disa vjet më parë.

Evis HALILI

Shkup, 13 shtator – Qëndrimet kontradiktore brenda Akademisë së Shkencave dhe Arteve lidhur me çështje të ndryshme për marrëdhëniet ndëretnike dhe sidomos deklarata të anëtarëve të saj për Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe që po debatohet në Parlament, kanë detyruar këtë institucion të deklarojë qëndrimin e vet, shkruan gazeta KOHA. Në një njoftim të shpërndarë nga Kryesia e ASHAM-it kërkohet që miratimit të Ligjit t’i paraprijë një debat shkencor nga ekspertë të kësaj fushe, në mënyrë që formulimet e propozuara në këtë ligj të kuptohen si duhet, duke qartësuar interpretimet dhe keqinterpretimet që po i bëhen. Sipas ASHAM-it, për të gjitha dilemat dhe çështjet e mbetura pezull, deputetët duke respektuar opinionin e ekspertëve, duhet të iniciojnë një debat, ndërsa vetë propozim-ligjin e konsideron si një mundësi të mirë për të mbyllur një çështje të mbetur pezull dhe që vazhdimisht krijon tensione ndëretnike edhe pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2001.

“Pluralizmi gjuhësor është një karakteristike imanente e shoqërive multikulturore, e për rrjedhojë edhe insistimet e bashkësive për avancimin e të drejtave të tyre gjuhësore janë legjitime. Maqedonasit duhet ta respektojnë dhe të tregojnë interesim për gjuhët e bashkëqytetarëve të tyre dhe avancimin e të drejtave gjuhësor, kulturës dhe traditës… ASHAM ka pikëpamje të palëkundur se Maqedonia duhet të ndërtohet dhe të zhvillohet si një shoqëri multientike dhe multikulturore, demokratike me orientim perëndimor”, thuhet në njoftimin e Kryesisë së ASHAM-it. Reagimi i këtij institucioni ka ardhur pas kërkesës së bërë nga akademikët shqiptarë dhe si një përgjigje ndaj “rebelimit” të një pjese të akademikëve që janë shprehur kundër Ligjit.

Akademiku Abdylmenaf Bexheti thotë për gazetën KOHA se kanë insistuar që Kryesia të përpilojë një qëndrim zyrtar institucional, me qëllim që të nxitet debati konstruktiv për pluralizmin gjuhësor. “Por edhe në funksion të përgjigjes ndaj atyre qëndrimeve individuale që kanë shprehur disa akademikë në opinion dhe që kanë krijuar konfuzion, pa arritur të dëshmojnë se avancimi i gjuhës shqipe rrezikon atë maqedonase”, sqaron akademiku. Është pikërisht ky krah që prej gati tre vitesh po kundërshton edhe formimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike, projekt ky që është insistuar të realizohet që pas skandalit me Enciklopedinë disa vjet më parë.

“Procesi për krijimin e Qendrës po zvarritet për shkak të rezistencës që ka hasur këtu brenda, janë dy njësi, ajo e Linguistikës dhe befasisht tani edhe e Medicinës. Insistimi i akademikëve shqiptarë është që emri i këtij projekti të mos ndryshojë dhe të quhet Qendra e Studimeve Albanologjike, ndërsa të tjerët që të jetë Ballkanistike dhe në të përfshihen edhe gjuhët tjera. Nga Kryesia tani kanë nxjerrë edhe një pretendim tjetër se formimi i Qendrës kundërshtohet edhe nga Instituti i Trashëgimisë. Nuk ka pasur reagim apo korrespondencë zyrtare lidhur me këtë qëndrim, por që më duket totalisht alogjike dhe atipike nëse është e vërtetë”, thotë Bexheti. Ai pohon se do të kërkojnë një qëndrim të prerë nga ky institucion për të mos lejuar të zvarritet pa asnjë lloj epilogu projekti për Qendrën Albanologjike. Muajin e ardhshëm, ASHAM-i do të shënojë edhe 50 vjetorin e themelimit. Në materialin që është duke u përgatitur, ky institucion do të prezantojë në publik edhe konceptin e saj për funksionimin e mëtejshëm të këtij institucion dhe prioritetet për vitet e ardhshme./koha mk