H. Sulejman ef. Rexhepi simbol reprezentues dhe unifikues i të gjithë myslimanëve të vendit

BFI-ja kurrë nuk është marrur me politikë si aktivitet më vete dhe, asnjëherë nuk është përzier në politikat progresive të shtetit. Megjithatë, me çdo kusht është munduar që të bashkëpunojë me partitë shqiptare participiente në qeveri, duke kërkuar prej tyre që të luajnë madje edhe rolin e altoparlantit të interesave të BFI-së në drejtim të zhvillimit të jetës fetare, sociale, kulturore, humanitare, arsimore të besimtarëve të vet.

Shkruan Avni Halimi

Bashkësia Fetare Islame në RM është Institucion fetar islam reprezentativ i të gjithë myslimanëve të vendit. Pra, është tërësisht apolitik dhe shembull unikat i harmonisë së diversitetit kulturor dhe etnik. Interesat e saj jetike, që ndërlidhen kryesisht me zhvillimin e jetës fetare në vend, si dhe nevojat fetare të myslimanëve të vendit, pa dyshim që e detyrojnë këtë Institucion fetar që hera heras të shtrojë kërkesa e ultimatume të natyrave politike, por edhe të bashkëpunojë me pushtetin. Madje, jo të pakta kanë qenë ato momente kur BFI-ja është dëshmuar si pushtet më vete në kuadër të shtetit, me çrast e ka detyruar pushtetin politik që të jetë më i vëmendshëm, më i kujdesshëm dhe më koperativ në raport me interesat fetare të myslimanëve të vendit. Interes fetar ka qenë edhe arsimimi i lartë në gjuhën amtare i myslimanëve-shqiptarëve të vendit (Universiteti i Tetovës); interes fetar ka qenë edhe angazhimi kombëtar në avansimin e statusit politik të myslimanëve-shqiptarëve të vendit (lufta e UÇK-së); interes fetar ka qenë edhe ruajtja dhe transparenca e karakterit multifetar e multikulturor të vendit; interes fetar i myslimanëve-shqiptarëve të vendit ka qenë edhe barabarsia politike dhe kulturore e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë; interes fetar i myslimanëve-shqiptarëve të vendit ka qenë luftimi i sektarizimit dhe i ideologjizmave fetarë përmers kultivimit dhe interpretimit të islamit burimor dhe autokton të vendit. Kjo pra është politika e Bashkësisë Fetare Islame nën drejtimin më se dy dekada e gjysëm të H. Sulejman ef. Rexhepit, Reisul Ulema i këtij Institucioni. Pa këtë politikë të pathyeshme të H. Sulejman ef. Rexhepit, Bashkësia Islame në Maqedoni do të ishte, thjesht, një “agjenci e pavarur” e çdo pushteti të udhëhequr nga shumica maqedonase-ortodokse.

Kjo politikë, e bazuar në gërshetimin e interesave fetaro-kombëtare, nga ana tjetër, jo njëherë e ka nxjerrë në sipërfaqe armiqësinë e shërbimeve sekrete kundër këtij Institucioni fetar, duke u munduar ta detronizojnë deri në shkatërrim të tij. Megjithatë, falë vigjilencës së popullatës së vendit, falë përkushtimit fetar e kombëtar të myslimanëve-shqiptarëve dhe, sidomos falë urtësisë së H. Sulejman ef. Rexhepit, përvojës së tij organizative dhe njohurive të holla të rrjedhave dhe projekteve politike të nacionalistëve ortodoksë të rajonit, rrjedhimisht edhe të vendit, Institucioni i BFI-së ka mbijetuar duke u kalitur fortë e më fortë.

Cili ka qenë çelësi i këtij suksesi, sidomos në rrafshin politik? Sulejman ef. Rexhepi me urtësinë e tij gjithnjë ka arritur të bindë faktorin politik shqiptar, si shumicë të myslimanëve të vendit, që mos t’i anashkolojnë interesat fetare të cilat i artikulon BFI-ja por të njëjtat t’i përfshijnë në axhendën politike si zë programor që del nga platforma e tyre kombëtare. Për këtë periudhë demokratike të vendit, jo njëherë kanë ardhur në pikëpyetje funksionimet e koalicioneve qeveritare pikërisht për shkak të përpjekjeve politike-ortodokse të anashkalimit të BFI-së si Institucion reprezentativ i të paktën gjysmës së popullatës së Maqedonisë.

BFI-ja kurrë nuk është marrur me politikë dhe asnjëherë nuk është përzier në politikat progresive të shtetit. Megjithatë, me çdo kusht është munduar që të bashkëpunojë me partitë shqiptare participiente në qeveri, duke kërkuar prej tyre që të luajnë madje edhe rolin e altoparlantit të interesave të BFI-së në drejtim të zhvillimit të jetës fetare, sociale, kulturore, humanitare, arsimore të besimtarëve të vet.

Fatkeqësisht, ky qëndrim, pse jo, politik i herëpashershëm i BFI-së, jo njëherë ka detyruar shërbimet sekrete që të nxjerrin kokë dhe të fusin duart tek besimtarët e BFI-së duke i sjellë e duke ua trullosur trutë. Janë munduar që ta sekrtarizojnë përmes përçarjeve dhe sulmeve, madje edhe fizike (siç ishte “puçi” i fundit më 4 maj të vitit 2015), vetëm e vëtëm që ta arrijnë shurajen e BFI-së si Institucion që kurrë nuk ka heshtur para përpjekjeve institucionale për diskriminim fetar, politik e kulturor të më se gjysmës së popullatës së këtij shteti.

Pa asnjë dyshim e pendim, BFI-ja ka bashkëpunuar dhe, deri sa do të jetë kjo “politikë sulejmaniste”, do të bashkëpunojë me të gjithë partitë shqiptare që do të jenë në pushtet. Sepse, ky është interesi i BFI-së si Institucion dhe jo interes personal i asnjë individi, madje as i H. Sulejman ef. Rexhepit. Sepse, kthimin e vakëfit të nacionalizuar dhe të uzurpuar, akreditimin e shkollave të mesme fetare, themelimin e Institucioneve si organe të BFI-së, legalizimin e pronave dhe objekteve të BFI-së, inkorporimin e mësimbesimit fetar në sistemin arsimor, eliminimin e barrierave përpara nevojave për zhvillim dhe avansim të jetës fetare etj. nuk mund ta bëjë opozita, ajo mund ta ngacmojë dhe ta kërkojë por, realizimin dhe jetësimin e këtyre interesave i bën ekskluzivisht pushteti, respektivisht koalicioni qeveritar i cili nuk mund të përbëhet pa pjesëmarrjen në të të një partie politike shqiptare.

Kur të kihen parasysh të gjitha këto fakte të pamohueshme, atëherë vetëvetiu bijnë poshte të gjitha sulmet naive dhe qëllimkëqia që drejtohen në adresë të BFI-së dhe të H. Sulejman ef. Rexhepit duke e akuzuar si bashkëpunëtorë i kësaj apo i asaj partie. H. Sulejman ef. Rexhepi është simbol reprezentues dhe unifikues i të gjithë myslimanëve të vendit, përfshirë këtu edhe i liderëve politikë të bllokut mysliman. Ai kurrë nuk ka përjashtuar asnjë lider politik, qofshin ata në pushtet apo në opozitë. Por, efendi Rexhepi nuk mund të lejojë që të bëhet palë e opozitës (aq me pak e opozitës joproduktive) si gjeneratore e proceseve në vend, siç nuk guxon të bëhet as palë e pushtetit në përpjekje për ta ngulfatur zërin dhe veprimtarinë opozitare. Qëndrimi më pranë partive shqiptare që janë në koalicione qeveritare, qëndrim ky që imponohet nga interesat fetare të gjysmës së popullatës së vendit, nuk do të thotë se i anashkalon angazhimet e partive në opozitë që i bëjnë në drejtim të avancimit të jetës fetare. H. Sulejman ef. Rexhepi është i hapur për çdo iniciativë opozitare që shkon në dobi të çështjes fetare islame dhe të myslimanëve të vendit. Efendi Rexhepi, për ndryshe, shquhet me angazhimin e vet personal si dhe me shumë apele që BFI-ja të ruhet nga ngjyrimet partiake, por dhe mos të hezitojë në imponimin e politikave të veta tek ato parti që janë më pranë pushtetit prej nga më lehtë mund t’i jetësojnë ato politika që nuk janë asgjë tjetër përveçse platformë e interesave të gjithëmbarshme të myslimanëve të vendit. Dhe, me të drejtë del konstatimi se, të gjithë ata që do të jenë kundër kësaj platforme, në fakt janë kundër këtyre interesave të gjithmbarshme, të cilat në asnjë pikë nuk i presin interesat kombëtare dhe politike të përfaqësuara nga partitën tona politike. H. Sulejman ef. Rexhepi ka ditur fort mirë të bashkëpunojë edhe me Nevzat Halilin, Abdurrahman Halitin e Prosperitetit, Iljaz Halimin e Popullores, Arbën Xhaferin e PDSH-së, Ali Ahmetin e BDI-së etj. H. Sulejman ef. Rexhepi do të ishte shumë i lumtur që t’i afrohen edhe liderët e tjerë të bllokut mysliman dhe t’i bashkërendojnë të gjitha veprimet që shkojnë në interes të besimtarëve myslimanë të vendit si dhe në interes të një mirëqenie, bashkëjetese dhe harmonie të lumtur për të gjithë qytetarët e vendit. Përjashtimi apo vetë përjashtimi nga ky interes i përgjithshëm nuk është asgjë tjetër përveç sektarizim. BFI-ja ka qenë dhe do të mbetet gjithnjë luftëtare e denjë dhe e dëshmuar kundër të gjitha përpjekjeve dhe veprimeve sektariane. Prandaj, të gjitha akuzat kundër BFI-së dhe Reisul Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepit janë të pabaza dhe qëllimkëqia.