Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) mbrëmë mbajti tubim para banorëve në fshatin Zhitoshë dhe prezentoi kandidatin për kryetar të komunës së Dollnenit, Eroll Abdiu.
Në tubim foli edhe kryetari i partisë, Menduh Thaçi si dhe bartësi i listës së këshilltarëve, Orhan Hasani.
“Vëllezër turq, boshnjakë dhe të tjerë mos i dëgjoni ata që thonë se PDSH-ja është parti nacionaliste. Partia jonë është parti kombëtare e shqiptarëve dhe lufton për të drejtat e tyre, por në të njëjtën kohë ju premtoj, se luftojmë edhe për të drejtat e juaja. Për këtë pyesni banorët e komunës së Studeniçanit dhe se sa janë ata të kënaqur prej kryetarit të deritanishëm të komunës.
Dërgoni mesazh të drejtpërdrejt tek bashkëqytetarët tuaj që të votojnë për ne, pasi që nëse votojnë për partitë e tjera të bllokut maqedonas do të thonë nuk jeni të tyre. Ju bëj thirrje që të votoni për partitë shqiptare. Veçanërisht ju them që të votoni për kandidatin për kryetar të Dollnenit të PDSH-së, Eroll Abdiu”, tha Thaçi.
