LSDM me probleme në Kumanovë, Cici bojkoton Maksimin

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në tubimin e mbrëmshëm në Kumanovë, i ofroi kryetarit të deritanishëm të komunës, Zoran Damjanovski-Cic që të jetë pjesë e pushtetit ekzekutiv. Portali SDK shkruan se në këtë mënyrë Zaev po mundohet ta qetësojë Zoran Damjanovskin – Cic, për shkak se LSDM nuk e kandidoi për herë të katër për kryetar komune.

“Edhe Damjanovski ishte kandidat për kryetar komune për mandat të katër, por nuk e mori përkrahjen e qendrës dhe te liderit. Ai iu hidhërua Zaevit dhe për këtë arsye deri tani e bojkotonte fushatën e DImitrievskit, kurse mbrëmë për herë të parë u paraqit në tubim publik”, shkruan SDK.

Zaev përveç që i ofroi Damjanovskit të jetë pjesë e pushtetit qendror, e lavdëroi se ka qenë pararendës në betejën kundër pushtetit paraprak dhe u ka bë ballë gjitha kërcënimeve, inspeksioneve, torturave dhe nënçmimeve.

Në Kumanovë për mandat të kryetarit të komunës janë në garë pesë kandidatë edhe atë dy maqedonas dhe tre shqiptarë.

Kandidat i Lëvizjes Besa është Driton Sulejmani, i LR PDSH-së, Bashkim Osmani, i PDSH-së, Besnik Memeti, kurse BDI nuk garoi me kandidat të vetin, ndoshta për shkak se kryetari i saj Ali Ahmeti u gjuajt me gurë në Kumanovë.

Prej partive maqedonase, në garë janë Maksim Dimitrievski i LSDM-së dhe Zoran Gjorgjievski i VMRO-DPMNE-së. Dimitrievski po tenton të përfitojë edhe votat shqiptare, mirëpo shqiptarët kanë humbur besimin tek ai për shkak se si kryetar i këshillit komunal nuk kundërshtoi politikat diskriminuese të kryetarit të deritanishëm Damjanovski-Cic, ndaj pjesës shqiptare të Kumanovës.